E Hënë - E Enjte 08:00 - 16:30 | E Premte: 08:00 - 14:00

Kryetarja e AMA-s, znj. Armela Krasniqi para Komisionit Parlamentar për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik mbi bashkëpunimin e lidhur me platformën TikTok. Më poshtë fjala e plotë:

Përshëndetje!

Dekadat e fundit i kanë vënë, si profesionistët e medias ashtu edhe rregullatorët, para sfidës, mbase më të madhe të kohës sonë: Sfidës së etikës dhe profesionalizmit përballë zhvillimit marramendës të teknologjisë, si pasojë e së cilës, metodat e reja të shpërndarjes së informacionit ia kanë dalë të përmbysin formulën tradicionale të komunikimit media-publik. Interneti, mediat sociale dhe platformat e shpërndarjes së videove, e kanë demokratizuar komunikimin në një masë, deri pak para vitesh të paimagjinueshme, duke u dhënë të gjithëve mundësinë të shndërrohen nga konsumatorë në prodhues, nga publik në autorë dhe ofrues të përmbajtjeve audiovizive.

Por sfida e zhvillimit është dhe sfidë e rregullimit!

Për këtë arsye, autoritetet rregullatore të mediave të vendeve të BE-së dhe të rajonit tanimë po përballen me sfidën emergjente të hartimit dhe zbatimit të akteve rregullatore të reja, me qëllim përshtatjen e legjislacionit me këtë ekosistem të ri mediatik, duke u kujdesur që ruajtja e etikës të shkojë paralelisht me moscënimin e lirisë së shprehjes.

Në këtë kuadër, AMA ka qenë dhe është shumë e vëmendshme si në drejtim të përshtatjes së kuadrit tonë legjislativ me atë të BE-së, ashtu edhe në drejtim të  bashkëpunimit të vazhdueshëm dhe intensiv me rregullatorët e vendeve të BE-së, për të ndarë me ta sfidat, por dhe për të përshtatur dhe koordinuar me ta programet tona të punës, në mënyrë që të jemi të suksesshëm në punën tonë.

Në këto dy linja është punuar dhe vazhdohet të punohet edhe sa i takon rregullimit ligjor të platformave të shpërndarjes së videove (Video-Sharing Platforms).

Në këtë kuadër, në maj 2023, pas një procesi të gjatë konsultimi, hynë në fuqi ndryshimet më të fundit të ligjit nr. 97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar. Këto ndryshime, si transpozim i Direktivës së BE-së 2018/1808, në pjesën më të madhe të tyre, kishin për objekt rregullimin e Platformave të Shpërndarjes së Videove.

Përtej kuadrit ligjor, rregullimi i Platformave të Shpërndarjes së Videove paraqet vështirësi nga më të ndryshmet, të lidhura me:

  • formimin e përdoruesve, që u përkasin të gjitha shtresave dhe kategorive të shoqërisë dhe për rrjedhojë mosrespektimin e standardeve etike, të rrjedhur prej tij;
  • peshën e përdoruesve shqiptarë dhe shqipfolës në numrin e përgjithshëm global të përdoruesve dhe mungesën e interesit të platformave për t’iu bindur legjislacionit rregullues kombëtar/lokal;
  • mospërputhjen midis kapaciteteve teknologjike të platformave për shpërndarjen e videove dhe kapaciteteve teknologjike të rregulatorëve për t’i monitoruar dhe verifikuar ato në kohë reale apo sa më të shpejtë,

të cilat na vënë edhe para sfidës serioze të mundësisë reale të plotësimit të detyrimeve, që ligji parashikon për ne në fushën e rregullimit të Platformave të Shpërndarjes së Videove, përfshirë planifikimin strategjik dhe përcaktimin e prioriteteve për politikat e përputhshmërisë dhe zbatimit.

Jo vetëm për motivet e sipërpërmendura, por edhe në përgjigje të shqetësimit dhe interesimit të vazhdueshëm edhe tuajin përkitazi rregullimit të Platformave të Shpërndarjes së Videove, kam kënaqësinë sot, që t’Ju informoj, se Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA) ka arritur të vendosë një bashkëpunim me platformën Tik-Tok (e theksoj – bëhet fjalë për bashkëpunim dhe jo për marrëveshje), bazuar në funksionet rregullatore të AMA-s, sipas ligjit 97/2013 i ndryshuar dhe vullnetin e Tik-Tok, në dobi të ruajtjes së standardeve etike të postimeve të përdoruesve shqiptarë të kësaj platforme.

Bashkëpunimi bazohet në dispozitat e Ligjit 97/2013, “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuar:

Neni 2, “Fusha e zbatimit”, sipas të cilit “Ky ligj zbatohet për transmetimet audiovizive lineare, transmetimet audiovizive jolineare dhe shërbimet mbështetëse të tyre, si dhe për shërbimet e platformave të shpërndarjes së videove.”

Neni 3, “Përkufizime”, Pika 17/1, ku sqarohet, se: “Shërbimi i platformës së shpërndarjes së videove” nënkupton një shërbim, qëllimi kryesor i të cilit ose i një pjese të shkëputur të tij, apo një funksion thelbësor i shërbimit është ofrimi për publikun e gjerë të programeve, videove të krijuara nga përdoruesi ose të dyjave së bashku, me qëllim informimin, argëtimin ose edukimin nëpërmjet një rrjeti të komunikimeve elektronike për të cilat ofruesi i platformës së shpërndarjes së videove nuk ka përgjegjësi editoriale, dhe organizimi i të cilës, përfshirë përdorimin e mjeteve automatike ose algoritmet në veçanti për shfaqjen, etiketimin dhe renditjen, përcaktohet nga vetë ofruesi i platformës së shpërndarjes së videove.”

Neni 32 “Rregulla të përgjithshme për ofruesit e shërbimeve mediatike audio dhe/ose audiovizive dhe për ofruesit e platformave të shpërndarjes së videove”, Pika 4, ku sqarohet, se: “Ofruesit e shërbimeve mediatike audiovizive, si dhe ofruesit e platformave të shpërndarjes së videove nuk transmetojnë programe me përmbajtje që:
a) nxisin dhunë ose urrejtje kundrejt një grupi personash ose një anëtari të një grupi mbi baza të tilla, si: gjinia, raca, ngjyra, origjina etnike ose shoqërore, tiparet gjenetike, gjuha, feja, besimi, opinioni politik, kombësia, anëtarësimi i një pakice kombëtare, prona, lindja, paaftësia, mosha apo orientimi seksual, si dhe çdo formë tjetër diskriminimi sipas legjislacionit në fuqi për mbrojtjen nga diskriminimi
;
b) nxisin kryerjen e veprave terroriste.”

Neni 32/1, Pika 4, ku sqarohet, se: “Pa cenuar parashikimet e neneve 15 deri 20 të ligjit “Për tregtinë elektronike”, ofruesit e platformave të shpërndarjes së videove marrin masat e nevojshme për: a) mbrojtjen e fëmijëve nga programet, videot e gjeneruara nga përdoruesit dhe komunikimet tregtare që mund të dëmtojnë zhvillimin e tyre mendor, fizik ose moral;
b) mbrojtjen e publikut të gjerë nga programet, videot e gjeneruara nga përdoruesit dhe komunikimet tregtare audiovizive me përmbajtje që nxisin dhunë ose urrejtje kundrejt një grupi personash ose anëtarësh të një grupi;
c) mbrojtjen e publikut të gjerë nga programet, videot e gjeneruara nga përdoruesit dhe komunikimet tregtare audiovizive me përmbajtje, shpërndarja e të cilave përbën një aktivitet që është vepër penale sipas legjislacionit në fuqi, apo provokim për të kryer një vepër terroriste, përbën vepër penale në lidhje me pornografinë për fëmijë, racizmin apo ksenofobinë.

Në kuadrin e këtij bashkëpunimi të bazuar në dispozitat e sipërpërmendura, AMA ka proceduar me hapjen e një dritareje në faqen e saj Web, e cila mundëson dërgimin e ankesave të qytetarëve referuar përmbajtjeve të dëmshme të publikuara në Tik-Tok. Plotësimi i formularit të aksesuar në dritaren e komunikimit vijon me shqyrtimin e videos që kontestohet.

AMA NUK MONITORON, por vepron VETËM në bazë të ankesave të qytetarëve.
Stafi i cili shqyrton ankesat e ardhura sipas formularit (në faqen e AMA-s) ka në përbërje të tij punonjës të Këshillit të Ankesave, Drejtorisë së Integrimit dhe Legjislacionit Ndërkombëtar, Drejtorisë së Planifikimit të Frekuencave dhe TIK si dhe Drejtorisë së Inspektimi dhe Mbikqyrjes. Pas shqyrtimit, dërgohen për raportim në platformën TikTok vëtëm ato video të cilat verifikohet se janë në shkelje të Ligjit. Raportimi bëhet duke argumentuar shkeljen me bazën ligjore përkatëse.

Në vijim ju njoh me statistikat e raportimeve deri më datën 03.09.2024

Kategoria: Video të raportuara për pirateri të produktit audioviziv shqiptar
Video të raportuara në total – 355
Video të hequra – 308
Profile të mbyllura pas raportimit të videove – 39

Kategoria: Video te raportuara për përmbajtjet e dëmshme
Ankesa gjithsej – 195
Të shqyrtuara  nga AMA  -195
Në shkelje të ligjit (të raportuara në Tik Tok) – 75
Video të bllokuara (pas raportimit, nga Tik Tok) – 39
Video nën shqyrtim (nga Tik Tok) – 36

39 videot e bllokuara përmbanin shkeljet e mëposhtme:

10 video – për pamje të drejtpërdrejta dhune ,

1 video – për gjuhë urrejtjeje për shkak të orientimit seksual,

1 video – për diskriminim fetar,

8 video – për pamje/audio të drejtpërdrejta veprash penale,

10 video – për ekspozim të fëmijës ndaj pornografisë, narkotikëve, alkoolit, duhanit dhe dhunës

9 video – për nxitje dhune ose urrejtjeje.

Në mbështete të këtij angazhimi dhe në konkretizim të detyrimeve të rrjedhura prej transpozimit të Direktivës 2018/1808 në ligjin 97/2013, i ndryshuar, AMA:

  • ka përfunduar ndërkohë draftimin e Rregullores për Platformat e Shpërndarjes së Videove, e cila synon të qartësojë mënyrën e rregullimit të funksionimit të këtyre platformave në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe procedurat përkatëse të administrimit të ankesave në adresë të tyre, si dhe
  • ka hedhur në këshillim publik ndryshimet e fundit të Kodit të Transmetimit, me të cilat, dispozitat dhe veprimi i këtij akti nënligjor përfshijnë edhe veprimtarinë e platformave të Shpërndarjes së Videove.

Faleminderit

Perpara Bashkëpunimi mes AMA dhe TikTok, Krasniqi para Komisionit Parlamentar për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik: Proces rregullues, siç e parashikon ligji
guest
0 Comments
Oldest
Newest Most Voted
Inline Feedbacks
View all comments

Na ndiqni në rrjete sociale:

Copyright 2024 | Autoriteti Mediave Audiovizive | Të drejtat e rezervuara