Kishinau, 15 maj 2025 – Kryetarja e Autoritetit të Mediave Audiovizive, Znj. Armela Krasniqi, mori pjesë në punimet e Takimit të 61-të të Platformës Evropiane të Rregullatorëve Audiovizivë (EPRA), i cili u zhvillua në Kishinau, Moldavi, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të autoriteteve rregullatore nga vendet anëtare të platformës.
Takimi shënoi një moment të veçantë, pasi përkoi me 30-vjetorin e krijimit të EPRA-s dhe u karakterizua nga një agjendë e pasur me diskutime mbi çështje thelbësore për të ardhmen e rregullimit të sektorit audioviziv në Evropë.
Pikat kryesore të agjendës përfshinë:
Prezantimin e identitetit të ri vizual të EPRA-s, si një hap simbolik drejt forcimit të misionit dhe vizionit të platformës në epokën digjitale;
Diskutimin mbi Forumin Global të Rrjeteve të UNESCO-s, me theks te edukimi mediatik dhe zhvillimi i kompetencave digjitale, prezantuar nga Znj. Samrita Menon, përfaqësuese e UNESCO-s;
Paraqitjen e gjetjeve kryesore mbi kuadrin e interesit publik, nga Znj. Deniz Wagner, këshilltare në Zyrën e Përfaqësuesit të OSBE-së për Lirinë e Medias;
Organizimin e një sesioni tematik mbi mbrojtjen e fëmijëve në platformat e shpërndarjes së videove dhe rrjetet sociale, ku u trajtuan mjetet dhe qasjet rregullatore për të garantuar një mjedis digjital të sigurt dhe gjithëpërfshirës për fëmijët.
Në këtë sesion kontribuuan përfaqësues nga Rregullatorët Audiovizivë të rëndësishëm si ARCOM (Francë), AGCOM (Itali), UNESCO, si dhe përfaqësues nga Qendra Italiane për Internet më të Sigurt.
Në përfundim të takimit, Kryetarja e AMA-s, Znj. Armela Krasniqi, deklaroi:
“Pjesëmarrja në platforma ndërkombëtare si EPRA është thelbësore për të forcuar rolin e autoriteteve rregullatore në përballje me sfidat që sjell transformimi i vazhdueshëm i peizazhit mediatik. Diskutimet për mbrojtjen e fëmijëve online, edukimin mediatik dhe të drejtat e përdoruesve janë çështje prioritare për AMA-n, dhe përfshirja jonë aktive në këto forume ndihmon në përafrimin me standardet më të larta evropiane.”
Pjesëmarrja e AMA-s në këtë platformë të rëndësishme evropiane nënvizon angazhimin e autoritetit për të forcuar bashkëpunimin ndërkombëtar, për të shkëmbyer përvoja dhe për të avancuar kapacitetet rregullatore në përputhje me zhvillimet më të fundit në nivel evropian.