E Hënë - E Enjte 08:00 - 16:30 | E Premte: 08:00 - 14:00

Shqipëria merr presidencën e radhës së Rrjetit Mesdhetar të Enteve Rregullatore. Asambleja 2-ditore zhvillohet në Shqipëri

Shqipëria ka mirëpritur për herë të parë zhvillimin e Asamblesë Plenare të 22-të të Rrjetit Mesdhetar të Autoriteteve Rregullatore (MNRA). Konferenca zhvillohet në Pallatin e Brigadave dhe për dy ditë, 28-29 Shtator, do të diskutohen çështje të rëndësishme, siç janë sfidat me të cilat përballet mjedisi mediatik, por edhe vetë entet rregullatore, në ditët e sotme.

Në takimin e nivelit të lartë, janë të pranishëm krerët e enteve rregullatore të vendeve anëtare të MNRA-së, presidenti i ERGA-s, Giacomo Lasorella, përfaqësuesja e UNESCO-s, Ana Cristina Ruelas, përfaqësuesja e platformës Facebook, Marisa Jimenez Martin, përfaqësuesi i Tik-Tok, Lukasz Gabler. etj.

Ditën e parë të Asamblesë, kreu i entit rregullator kroat (AEM), Josip Popovac, i ka dorëzuar kryetares së AMA-s, Armela Krasniqi, presidencën e radhës së MNRA-së.
“Më lejoni t’ju falenderoj që më votuat e që më dhatë besim për një detyrë që e kam fort të rëndësishme, ka thënë në fjalën e saj, Krasniqi, e cila deri tani mbante postin e zv/Presidentes. “Kam përgjegjësinë e vazhdimësisë së bashkëpunimit të mirë mes nesh, e identifikimit dhe përballjes bashkarisht të sfidave që dikton koha në të cilën jetojmë, por edhe e krijimit të urave të reja”.

Në axhendën e asamblesë së këtij viti është parashikuar që pjesëmarrësit të diskutojnë mbi temat kryesore që kanë lidhje me tregun mediatik aktual, kanalet e reja të komunikimit të krijuara nga zhvillimi teknologjik dhe nevoja e rregullimit të tyre. Akti Evropian për Lirinë e Medias, që pritet të miratohet së shpejti nga Këshilli i Evropës është një nga temat interesante të kësaj Asambleje.

“Akti Evropian për Lirinë e Medias (EMFA) është një instrument i ri shumë i dobishëm i Bashkimit Evropian për mbrojtjen e pluralizmit dhe pavarësisë së medias. Pavarësisht se ky Akt ende nuk ka hyrë në fuqi, ai fokusohet në pavarësinë e mediave, por edhe në transparencën e pronësisë së medias dhe të shpërndarjes së reklamave publike. Ai përcakton masat për mbrojtjen e pavarësisë së redaktorëve dhe zbulimin e konflikteve të interesit, ka thënë kryetarja e AMA-s, Armela Krasnniqi.

Në fjalën e saj, kryetarja e AMA-s, Krasniqi ka bërë edhe një prezantim të punës së entit rregullator shqiptar të mediave audio dhe audiovizive. “Gjatë vitit 2023 miratuam Kodin e ri të Transmetimit për mediat audio dhe audiovizive, i diktuar gjithashtu prej nevojës së pasqyrimit të standardeve të reja, të miratuara nga institucionet evropiane, standardeve të legjislacionit shqiptar, sugjerimeve të institucioneve ndërkombëtare dhe nevojës së adresimit të problemeve të dala në praktikë. Për këtë qëllim u zhvilluan 14 tryeza këshillimore, ku dhanë mendimet dhe sugjerimet e tyre 87 profesionistë të medias dhe përfaqësues të OSHMA-ve, 78 përfaqësues të shoqatave të grupeve të interesit, 79 ekspertë të medias dhe komunikimit, 70 përfaqësues të institucioneve qendrore dhe vendore si edhe 17 ekspertë dhe përfaqësues të organizatave dhe institucioneve ndërkombëtare. Përfaqësitë e Këshillit të Evropës dhe Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian në Tiranë, të cilat e ndoqën afër të gjithë procesin, përveç ekspertizës së tyre, mundësuan marrjen e opinionit të ekspertit të Këshillit të Evropës për Kodin, opinione që gjithashtu u reflektuan në projektin e Kodit të Ri”.

Një çështje tjetër e veçuar prej saj është edhe puna e Këshillit të Ankesave të AMA-s.
“Vetëm gjatë viteve 2021 dhe 2022 janë pritur dhe administruar nga Këshilli i Ankesave në AMA më shumë se 600 ankesa të ardhura nga publik dhe grupe interesi, ka thënë ajo. “Janë verifikuar, është kthyer përgjigje dhe marrë masa për çdo shkelje ligjore, të konstatuar, nga operatorët e shërbimit mediatik audioviziv. Deri tani, gjatë këtij viti, janë administruar më shumë se 300 ankesa të tjera, çka dëshmon një ndërgjegjësim në rritje të publikut shqiptar, qoftë për cilësinë e shërbimit që merr nga operatorët mediatik, qoftë për të drejtat që gëzon ai vetë. Për këtë arsye AMA do ta shtojë komunikim dhe e kemi në planet tona të punës edukimin e mëtejshëm mediatik të publikut, si qëllim për të formësuar një audiencë të mirëorientuar, kritike dhe të përgjegjshme”.

Asamblenë e ka përshëndetur edhe kreu i ERGA-s, Giacomo Lasorella, i cili ka theksuar në fjalën e tij efektet e teknologjisë në tregun mediatik, nevojën e përshtatjes se enteve rregullatore me këto ndryshime si dhe rëndësinë e miratimit të Aktit Evropian për Lirinë e Medias

Në panelin me temë, Akti Evropian për Lirinë e Medias (EMFA), media cilësore dhe verifikimi i fakteve merrnin pjesë, Frederic Bokobza i ARCOM France, Marisa Jimenez Martin e platformës Facebook, Anita Malenoca, anëtare e Këshillit të entit rregullator Kroat, ndërsa kryetarja e AMA-s, Armela Krasniqi si moderatore e këtij paneli.

Gjithashtu temë tjetër që u diskutua në panelin e dytë të Asamblesë së 22-të të MNRA-së ishte edhe nevoja e rregullimit të funksionimit të Platformave të Shpërndarjes së Videove. Në këtë panel të moderuar nga Joanna Spiteri (Maltë) diskutuan Pedro Ruivo (Portugali), Charis Tsigou (Greqi) dhe Lukasz Gabler (Tik Tok)
Platformat e ndarjes së videove, një risi tjetër e ekosistemit të krijuar nga teknologjia, ajo ku u përdoruesi bëhet edhe prodhuesi i përmbajtjes, janë një nga çështjet aktuale të diskutimit për nevojën e rregullimit të tyre. Aktualisht, autoritetet rregullatore të medias, po përshtaten me detyrat dhe përgjegjësitë përballë të cilave gjenden, prandaj po zhvillojnë qasje të reja për rregullimin ligjor të VSP-ve.

Eksperienca e UNESCO-s në mbrojtjen e lirisë së medias është parashikuar të diskutohet në ditën e dytë të Asamblesë, ndërsa tema si “Edukimi mediatik” dhe “Gjinia dhe media” do të jenë të tjera çështje që priten të trajtohen në një working group me vendet pjesëmarrëse.

****
Rrjeti Mesdhetar i Autoriteteve Rregullatore (MNRA) daton që nga 1997. Në 29 Nëntor 1997 u nënshkrua marrëveshja e parë nga Autoritetet Rregullatore të Francës, Portugalisë, Italisë, Greqisë dhe Katalonjës për krijimin e një rrjeti të përhershëm të Autoriteteve Rregullatore të Mesdheut në mënyrë që të krijohet një platformë për diskutim, shkëmbim informacioni dhe
kërkime mbi rregullimin e tregut mediatik audioviziv. Rrjeti Mesdhetar i Enteve Rregullatore numëron sot 27 anëtarë të cilët i bashkojnë marrëdhëniet miqësore mes tyre, gatishmëria për të konsoliduar shkëmbimin e rregullt të informacionit dhe përvojave për çështje me interes të përbashkët brenda kornizës në të cilën u krijua rrjeti. Vendet pjesëmarrëse konsultohen me njëra tjetrën në projekte kërkimi, ndërsa janë të gatshme gjithashtu të krijojnë dhe zhvillojnë marrëdhënie me organizatat dhe platformat ndërkombëtare të autoriteteve rregullatore të komunikimit audiovizual.

Perpara Kryetarja e AMA-s takim me Bashkë-raporterët e KiE për Shqipërinë

Na ndiqni në rrjete sociale:

Copyright 2024 | Autoriteti Mediave Audiovizive | Të drejtat e rezervuara