E Hënë - E Enjte 08:00 - 16:30 | E Premte: 08:00 - 14:00

Përmirësimi i raportimit në median audiovizive për të ndalur diskriminimin dhe përdorimin e gjuhës së urrejtjes

   Përmirësimi i raportimit në median audiovizive për të ndalur diskriminimin dhe përdorimin e gjuhës së urrejtjes

Ditën e martë, datë 26 qershor, Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA) me mbështetjen e Këshillit të Evropës organizoi tryezën e përbashkët të diskutimit me temë: “Përmirësimi i raportimit në median audiovizive për të ndalur diskriminimin dhe përdorimin e gjuhës së urrejtjes”.

Tryezën e përshëndeti Z. Gentian Sala, Kryetar i Autoritetit të Mediave Audiovizive dhe Z. Claus Neukirch, Kreu i Zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë. Z. Sala vlerësoi si të një rëndësie shumë të madhe bashkëpunimin midis institucioneve. Z. Sala u kujdes të vinte në dukje të të gjitha palëve të pranishme që gjuha e urrejtjes nuk përbën rutinë në gjuhën e televizioneve tona. AMA nga ana e saj, siguroi Z. Sala është shumë e kujdesshme dhe proaktive në zbatimin e ligjit dhe akteve nënligjore, po ashtu edhe me partneritetin e saj me redaksitë.

Z. Claus Neukirch, theksoi se raportimi me gjuhën e hate speech dhe hate speech në vetvete janë dukuri shumë problematike. Ai kërkoi përgjegjësi të gazetarëve në përdorimin e gjuhës e cila shfaqet në televizione dhe viktimat e saj janë të shumta. Ky lloj diskursi theksoi Kreu i Zyrës së Këshillit të Evropës, ndërton ose thyen shumë steriotipe.

Pjesa tjetër e aktivitetit vijoi e organizuar në dy panele. Paneli i parë u moderua nga Z. Mark Marku, Shef i Departamentit të Gazetarisë dhe Komunikimit, UT. Referues në panelin e parë ishin: Znj. Monika Stafa nga Këshilli i Ankesave, AMA, e cila vuri në vëmendje se ankesat që vijnë në AMA, në lidhje me përmbajtjet audiovizive kanë më shumë të bëjnë me probleme të etikës edhe më pak me probleme që kanë të bëjnë me gjuhën e urrejtjes. Problematike, për Znj. Stafa mbetet gjuha e përdorur nga politika. Z. Koloreto Çukali nga Këshilli Shqiptar i Medias trajtoi temën “Mekanizmat e vetrregullimit në parandalimin e gjuhës së urrejtjes dhe diskriminimit”. Z. Cukali tha se sot është e pamundur të zhdukësh gjuhën e urrejtjes, dhe se të zhdukësh këtë gjuhë sot është e barabartë me zhdukjen e shumë mediave. Por, thkesoi se mediat duhet të jenë shumë të kujdesshme që të mos e nxisin këtë gjuhë.

Z. Arben Muka, Drejtor i Programeve në AMA, tërhoqi vëmendjen se linja editoriale nuk duhet të jetë përçuese e gjuhës së urrjetjes dhe në këtë pikë duhet patjetër ndjeshmëri dhe ndërhyrje që kjo të mos lejohet. AMA, theksoi Z. Muka, kërkon cilësi dhe shumëllojshëmri në programacion, po ashtu ajo ka mbështetur dhe mbështet organizata që kanë në fokus median.

Znj. Ioana Avădani, Drejtore Ezekutive e Qendrës për Gazetarinë e Pavarur në Bukuresht, e ftuar si eksperte e kësaj fushe, vuri në dukje që vendet tona kanë shumë të përbashkëta. Gjërat po ecin ngadalë dhe ka ende shumë punë për t’u bërë për rezultate të prekshme. Ajo cilësoi 4 pika si të rëndësishme: përcaktimin e saktë se çfarë quajmë “hate speech”; hapat e qendrueshëm për të luftuar gjuhën e urrejtjes; rolin e Autoritetit të Mediave si një institucion kyç që duhet të ngjallë besimin e njerëzve; edukimi, si pikë shumë e rëndësishme për t’i mësuar njerëzit, sesi të mospërdorin hate speech.

Z. Remzi Lani nga Instituti Shqiptar i Medias, i cili ishte pjesë e panelit të dytë në takim, trajtoi temën “Kodet etike dhe vullneti për t’i zbatuar nga gazetarët dhe reporterët”. Z. Lani ngriti problematikën sesi mund të pengojmë gjuhën e urrjtjes pa frenuar lirinë e shprehjes. Hate speech për Z. Lani është sa problem ligjor po aq edhe problem etik për këtë arsye për gazetarët është e rëndësishme që të merren me aspektet etike. Z. Lani bëri thirrje që media të shkojë drejt sferës së vetërregullimit.

Z. Mark Marku, nga Departamenti i Gazetarisë dhe Komunikimit, UT gjatë prezantimit të tij, dalloi tre pika si të rëndësishme në ndikimin që ka departamenti në këtë çështje: 1. Marrëdhëniet media shoqëri, ku media jo vetëm raporton realitetin por edhe e prodhon realitetin; 2.Grupimet e lëndëve, që merren me komunikimin në tërësi, shpjegimet e parimeve të diskursit; 3. Formimin profesional, lëndët ku i kushtohet rëndësi etikës në media.

Folësi i fundit i dy paneleve të diskutimit ishte Z. Alban Tartari nga Departamenti i Gazetarisë dhe Komunikimit, UT ai trajtoi temën: “Roli dhe ndikimi i zyrave të shtypit në parandalimin e diskriminimit dhe gjuhës së urrejtjes në edicionet informative”, Z. Tartari vuri në dukje ndikimin e madh dhe të strukturuar të zyrave të shtypit. Në kohët e sotme zyrat e shtypit janë kthyer në prodhues të mëdhenj të lajmeve ku konteksti politik ka ngarkesën më të madhe dhe më me ndikim sesa të gjitha të tjerat.

Tryeza u përmbyll me konkluzione dhe diskutime përreth temave të sipërpërmendura dhe të gjithë aktorët pjesmarrës ishin të mendimit që duhet një sinkonizim i përpjekjeve të aktorëve për të pasur rezultat në mposhtjen e gjuhës së urrejtjes.

Autoriteti i Mediave Audiovizive

Tiranë, më 26.06.2018

Perpara Respektimi i standardit të gjuhës shqipe, takim me OSHMA-të në qarkun e Vlorës dhe Fierit
guest
0 Comments
Oldest
Newest Most Voted
Inline Feedbacks
View all comments

Na ndiqni në rrjete sociale:

Copyright 2024 | Autoriteti Mediave Audiovizive | Të drejtat e rezervuara