Aplikacioni “One IPTV Player” është hequr nga Google Play Store pas një procesi verifikimi të kryer nga ekipet e inspektimit të Autoritetit të Mediave Audiovizive, për shkak të shkeljes së të drejtave të transmetimit.
Largimi i aplikacionit u realizua pas kërkesës së institucionit drejtuar platformës Google, pasi u konstatua se ai ofronte akses të paautorizuar në paketat televizive Digitalb, Tring, RTSH dhe TV Klan, si edhe në paketa sportive me të drejta ekskluzive transmetimi.
Autoriteti thekson se ky rast përbën një shembull të qartë të shpërndarjes së paligjshme të përmbajtjes audiovizive në internet, duke cenuar të drejtat e transmetuesve dhe mbajtësve të licencave.
AMA bën të ditur se do të vijojë monitorimin e hapësirës digjitale dhe raportimin e aplikacioneve, platformave dhe faqeve që shpërndajnë në mënyrë të paautorizuar kanale dhe programe televizive, me synim mbrojtjen e prodhimeve audiovizive shqiptare dhe respektimin e të drejtave të autorit.