Autoriteti i Mediave Audiovizive, AMA, në procesin e shqyrtimit të përmbajtjeve të transmetuara nga OSHMA-të, bazuar në kërkesat e ligjit 97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, ka identifikuar se disa prej OSHMA-ve nuk respektojnë kërkesat për reklamat dhe komunikimet tregtare për barnat dhe trajtimet mjekësore. Për rastet e identifikuara ka pasur komunikime shkresore me subjektet, duke kërkuar ndërprerjen e praktikave antiligjore.
AMA ka vlerësuar dhe vlerëson maksimalisht, si dhe nxit OSHMA-të që të zgjerojnë hapësirën kohore, si dhe cilësinë e informimit të publikut për aspektet e mbrojtjes së shëndetit në terma të përgjithshme apo në aspekte të veçanta. Ky ka qenë dhe mbetet një shërbim shumë me rëndësi për OSHMA-të, një e mirë publike, me ndikim dhe efekt tek ndjekësit e përmbajtjeve që transmetohen, në favor të ndërgjegjësimit për mbrojtjen e shëndetit, si dhe përmirësimin e cilësisë së jetës.
Janë të papranueshme dhe në kundërshtim me legjislacionin në fuqi raste të abuzimit, kur disa OSHMA përpiqen që hapësirën e shëndetit ta kthejnë në biznes, përmes promocionit haptazi apo fshehurazi për institucione shëndetësore private, apo për mjekë të veçantë, duke marketuar pajisje apo shërbime të ndryshme. E njëjta gjë ndodh dhe me barnat, duke mosrespektuar standardet ligjore të reklamimit të tyre.
Këto qëndrime krijojnë sugjestionim dhe kaos tek pacientët e interesuar, duke ndikuar tek orientimi se “vetëm në këtë apo atë institucion shëndetësor mund të bëhet një kontroll mjekësor”, apo se “vetëm ky apo ai mjek mund të zgjidhë problematikat që hasen tek pacientët”.
Legjislacioni është i qartë kur saktëson se, “komunikimet me natyrë tregtare në transmetimet audiovizive për produktet farmaceutike apo produktet dhe trajtimet mjekësore, që jepen vetëm me recetën e mjekut, janë të ndaluara”, (ligji 97/2013, i ndryshuar, neni 42, pika 6).
Në Kodin e Transmetimit, seksioni 8, thuhet se: “Reklamat në transmetimet audio dhe audiovizive për trajtimet mjekësore janë të ndaluara. Ndalohet që mjeku të bëjë reklamë të çfarëdo lloji, me përjashtim të rasteve kur këto kanë qëllim sensibilizues, shkencor ose edukativ”, (pika 8.8).
Ndërkohë në “Rregulloren për komunikimet audio dhe/ose audiovizive me natyrë tregtare, format, kushtet dhe koha ditore e lejuar për transmetimin e reklamave”, neni 19, pika 9, saktësohet po ashtu se: “OSHMA-ja nuk duhet të transmetojë komunikim me natyrë tregtare, në të cilën mjeku bën reklamë ose publicitet, në favor të aktivitetit të tij personal apo të një institucioni të fushës së shëndetit”.
Vlen të përmendim dhe një kërkesë tjetër të kësaj rregulloreje të sipërcituar se: “Gjatë transmetimeve televizive është e ndaluar që realizuesit e programit dhe pjesëmarrësit në të, të bëjnë reklamimin e barnave”, neni 19, pika 10.
AMA vijon monitorimin e përputhshmërisë ligjore të përmbajtjeve që transmetojnë OSHMA-të e licencuara dhe për çdo rast të identifikuar do të procedojë administrativisht sipas parashikimeve të legjislacionit në fuqi.
Pritshmëria e AMA është respektimi nga OSHMA-të i kërkesave ligjore, si një kontribut konkret dhe mjaft i çmuar në dobi të shëndetit dhe mirëqënies së qytetarëve.
AUTORITETI I MEDIAVE AUDIOVIZIVE