E Hënë - E Enjte 08:00 - 16:30 | E Premte: 08:00 - 14:00

Konferenca Kombëtare “Gratë në qendër: Forcimi i medias me qasje përfshirëse në Shqipëri”, Krasniqi: Tregu audioviziv dinamik, por i balancuar

Kryetarja e AMA-s Znj. Armela Krasniqi mori pjesë sot në konferencën kombëtare me temë, “Gratë në qendër: Forcimi i medias me qasje përfshirëse në Shqipëri”, organizuar nga SCiDEV dhe AWA, me mbështetjen e Bashkimit Europian.

Në takim ishin të pranishëm ambasadori i BE në Tiranë, Z.Silvio Gonzato, deputetja e PD-së znj. Jorida Tabaku në cilësinë e kryetares së Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit publik, Dr. Blerjana Bino, drejtore ekzekutive e SCiDEV, Znj. Sabina Kodra, Drejtore Ekzekutive, Gratë në Audiovizual (AWA), Znj. Annette Young, gazetare dhe autore e emisionit “The 51 Percent” te “France 24 TV”, përfaqësues të shoqërisë civile, gazetarë etj.

Në këtë konferencë u prezantuan gjetjet kryesore të dala nga zbatimi i projektit, “Thyejmë kallëpet, formësojmë të ardhmen”, që synon transformimin e praktikave mediatike në Shqipëri, raportimin me perspektivë gjinore, rolin e grave në media, sigurinë e gazetarëve etj.

Kryetarja e AMA-s u tha të pranishmëve se institucioni që ajo drejton publikon çdo vit në Buletinit Periodik, të dhëna gjithëpërfshirëse mbi dinamikat e tregut audio dhe audioviziv, me informacione mbi aspektin ekonomik, pronësinë dhe përqendrimin në tregun mediatik audioviziv, por edhe karakteristika të stafeve të OSHMA-ve, si niveli arsimor, mosha dhe përvoja, balanca gjinore, monitorimi i përmbajtjeve të transmetuara, treguesit teknikë të transmetimit të OSHMA-ve etj.

Krasniqi bëri një përmbledhje të të dhënave të 3 viteve të fundit të balancës gjinore në tregun audioviziv. “Duhet thënë që tregu audioviziv është dinamik, me ndryshime nga viti në vit, por gjithsesi relativisht i balancuar dhe pa luhatje të theksuara gjinore. Një situatë e ndryshme nga ajo që vihet re gjatë fushatave zgjedhore, siç ishte ajo e zgjedhjeve të 11 majit, ku më të favorizuar dukshëm kanë qenë burrat”- tha Kryetarja e AMA-s.

Kjo konferencë synon të nxisë angazhime konkrete nga organizatat mediatike për miratimin dhe zbatimin e Udhëzuesit të Barazisë Gjinore, të hartuar posaçërisht, me qëllim garantimin e ndryshimeve të qëndrueshme dhe me ndikim në peizazhin mediatik në Shqipëri.

Perpara Interesi më i lartë i fëmijës dhe mbrojtja e të miturve nga përmbajtjet e dëmshme
guest
0 Comments
Oldest
Newest Most Voted
Inline Feedbacks
View all comments

Na ndiqni në rrjete sociale:

Copyright 2025 | Autoriteti Mediave Audiovizive | Të drejtat e rezervuara