E Hënë - E Enjte 08:00 - 16:30 | E Premte: 08:00 - 14:00

Njoftim Për Të Gjithë Subjektet OSHMA Përsëritës Të Shërbimit Audioviziv Të Të Tretëve

Njoftim për të gjithë subjektet OSHMA përsëritës të shërbimit audioviziv të të tretëve

Duke marrë shkas nga ankesat e shoqërive “DIGITALB” dhe “TRING”, në lidhje me transmetimin e programeve (kanaleve) dhe/ose transmetimin, përmes tyre, të eventeve sportive, për të cilat këto dy shoqëri gëzojnë të drejta ekskluzive transmetimi në territorin e Republikës së Shqipërisë, Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA), në kuadër të përmbushjes së detyrave dhe ushtrimit të kompetencave të veta ligjore, tërheq vëmendjen e të gjithë subjekteve OSHMA, përsëritës të shërbimit audioviziv të të tretëve, që të zbatojnë kërkesat ligjore për respektimin e të drejtave të transmetimit, duke sjellë në vëmendje parashikimin e nenit 32/Pika 6 të Ligjit Nr. 07/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, sipas të cilit:

OSHMA-të duhet të transmetojnë programet, përfshirë veprat kinematografike, në përputhje me kushtet dhe afatet për të cilat kanë nënshkruar marrëveshje me mbajtësit e të drejtave të këtyre veprave.

Në këto kushte, ritheksohet se transmetimi (përsëritja) e programeve (kanaleve) pa pasur më parë një kontratë, ose marrëveshje me mbajtësin përkatës të së drejtës së transmetimit, si dhe transmetimi, përmes këtyre kanaleve, i eventeve sportive, për të cilat nuk zotërohet e drejta e transmetimit, përbën kundërvajtje administrative, që sanksionohet me gjobë sipas ligjit në fuqi.

Për sa më sipër, kërkohet marrja e masave të menjëhershme dhe ndërprerja e transmetimit të çdo programi (kanali), apo eventi sportiv, për të cilin nuk është depozituar, më parë, në AMA, dokumentacioni i nevojshëm ligjor për të drejtën e transmetimit së tyre.

AMA bën me dije, gjithashtu, se do të kryejë monitorime dhe inspektime të përditshme të veprimtarisë audiovizive të subjekteve OSHMA dhe, në rast të konstatimit të transmetimit të kanaleve, ose eventeve sportive, pa të drejta transmetimi, do të procedojë me marrjen e të gjitha masave përkatëse të parashikuar nga legjislacioni në fuqi, duke filluar që me dënimin me gjobë, deri në uljen e afatit të autorizimit dhe heqjen përfundimtare të tij.

Në lidhje me monitorimin dhe inspektimin e veprimtarisë audiovizive, tërhiqet vëmendje për parashikimin e nenit 12, pika 1/c, të Rregullores “Për procedurat dhe kriteret e dhënies së autorizimeve”, miratuar me Vendimin Nr. 56 datë 10.07.2015 të Autoritetit të Mediave Audiovizive, sipas të cilit:

Subjekti që pajiset me autorizim për ofrimin e njërit apo më shumë shërbimeve të parashikuara në këtë rregullore është i detyruar që:

Të garantojë prezencën e të paktën një punonjësi ose të një personi të autorizuar prej tij, në çdo kohë (24 orë në ditë, për 7 ditë të javës), në vendin/ambientin ku janë të vendosura pajisjet audiovizive dhe në çdo ambient ku emetohet sinjali i transmetimit audio dhe/ose audioviziv, si dhe të lejojë inspektimin e tyre nga inspektorët e AMA-s, në bazë të rregullores përkatëse të AMA-s “Mbi procedurat e inspektimit dhe monitorimit të veprimtarisë së ofruesve të shërbimit mediatik audio dhe/ose audioviziv”.

Kurse neni 78, pika 4 të ligjit nr. 97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, përcakton se:

I licencuari dhe/ose i autorizuari duhet t’i paraqesë personit të autorizuar për kryerjen e inspektimit informacionin apo regjistrimet që zotëron lidhur me këtë kontroll, të lejojë hyrjen në mjediset e veta për të realizuar inspektimin dhe të ushtrojë këqyrjen e pajisjeve transmetuese në këto mjedise, si dhe, kur është e nevojshme, t’u përgjigjet kërkesave të personit të autorizuar për ushtrimin e inspektimit me qëllim realizimin e tij.

Për sa më sipër, të merren masa për të garantuar monitorimin dhe inspektimin e rregullt të veprimtarisë audiovizive nga grupet e inspektimit që do të paraqiten pranë ambienteve ku janë të vendosura pajisjet audiovizive dhe në çdo ambient ku emetohet sinjali i transmetimit audio dhe/ose audioviziv i subjektit OSHMA. Moslejimi, ose ndalimi i hyrjes së inspektorëve në mjediset ku janë vendosur pajisjet audiovizive të të licencuarit dhe/ose të të autorizuarit ose mosparaqitja e të dhënave e kërkuara prej tyre, dënohet sipas nenit 133/2/dh e ligjit nr. 97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”.

Duke Ju falenderuar për bashkëpunimin,

Autoriteti i Mediave Audiovizive

Tiranë, më 22 Shtator 2016

Perpara Njoftim Për Subjektet Përsëritës Të Programit Të Të Tretëve

Leave Your Comment

Na ndiqni në rrjete sociale:

Copyright 2021 | Autoriteti Mediave Audiovizive | Të drejtat e rezervuara