E Hënë - E Enjte 08:00 - 16:30 | E Premte: 08:00 - 14:00

Mbrojtja e fëmijëve nga përmbajtjet e dëmshme, vendet pjesëmarrëse në BRAF shkëmbejnë përvojat dhe diskutojnë sfidat e së ardhmes

Mbrojtja e fëmijëve nga përmbajtjet e dëmshme në media ishte thelbi i diskutimeve në Asamblenë e 11-t të Forumit të Autoriteteve Rregullatore të Transmetimeve të Detit të Zi (BRAF), mbajtur në Baku të Azerbajxhanit.

Punimet e Asamblesë së 11-të të BRAF-it u hapën nga Z. Ismat Sattarov, Kryetar i Këshillit Audioviziv i Republikës së Azerbajxhanit, i pasuar nga Dr. Deniz Guçer, Sekretari i Përgjithshëm i BRAF-it si dhe Ambasadorja Dr. Merve Safa Kavakci, Zëvendës Sekretar i Parë i Organizatës së Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi.

Në panelin pasardhës ku temë kryesore ishte: Korniza ligjore për mbrojtjen e fëmijëve dhe zbatimi efektiv i saj, drejtues të enteve rregullatorë nga Turqia, Shqipëria, Serbia, Greqia Moldavia, referuan zhvillimet e vendeve të tyre në drejtim të mbrojtjes së fëmijëve nga përmbajtjet e dëmshme.

Kryetarja e AMA-s Znj. Armela Krasniqi, pjesë e këtij paneli, foli për zhvillimet ligjore për mbrojtjen e fëmijëve nga  përmbajtjet e dëmshme.

“E kemi reflektuar këtë, jo vetëm në ligjin organik të institucionit, por dhe në Kodin e ripunuar të Transmetimit, në të cilin seksioni me fokus mbrojtjen e fëmijëve është pasuruar me standardet më të larta të mbrojtjes së fëmijës, por edhe me një fushatë të gjerë Edukimi Mediatik. Zhvillimi i teknologjisë dhe sfidat që ky zhvillim ka sjellë në rregullimin e tregut mediatik audioviziv janë gjithashtu një angazhim i reflektuar, përveçse me ndryshimet e duhura ligjore edhe me impenjime konkrete në rregullimin e Platformave të Shpërndarjes së Videove dhe mbrojtjen e fëmijëve nga përmbajtjet e dëmshme që qarkullojnë në mjedisin online” – u shpreh kryetarja e AMA-s, Znj. Armela Krasniqi, duke shtuar se ndarja e përvojave me kolegë të vendeve të tjera, shkëmbimi i eksperiencave dhe bashkëpunimi, janë mënyra e vetme për t’ia dalë me sukses këtyre sfidave.

Po ashtu, ajo theksoi rëndësinë e edukimit mediatik dhe ndërgjegjësimit për të ndihmuar fëmijët dhe familjet të orientohen në botën gjithnjë e më të ndërlikuar të mediave, veçanërisht në platforma online.

Asambleja e 11-të e BRAF-it ishte e një rëndësie të veçantë, sepse u diskutuan praktikisht mënyrat e përmirësimit të punës së rregullatorëve të mediave në rajon, në mënyrë që të mbrohen fëmijët dhe të drejtat e tyre në një mjedis mediatik gjithnjë e më të ndërlikuar. 

Perpara Asambleja e 11 e BRAF, kryetarja Krasniqi prezanton punën dhe progresin e arritur gjatë 2024
guest
0 Comments
Oldest
Newest Most Voted
Inline Feedbacks
View all comments

Na ndiqni në rrjete sociale:

Copyright 2025 | Autoriteti Mediave Audiovizive | Të drejtat e rezervuara