Kryetarja e AMA-s Znj. Armela Krasniqi mori pjesë në tryezën e organizuar nga OSBE dhe KQZ, mbi zgjedhjet e vitit 2025 dhe rolin e medias në këtë proces zgjedhor.
Në këtë takim ku ishin prezentë, Michel Tarran, Kryetar i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Z. Ilirjan Celibashi, KQZ si dhe përfaqësues të OSBE/ODIHR, Znj. Krasniqi në ligjëratën e saj shpjegoi procesin e angazhimit të AMA-s në monitorimin e mbulimit nga mediat audiovizive të fushatës zgjedhore.
“Në zbatim të Kodit Zgjedhor, KQZ, me vendimin nr. 2, datë 30.01.2021 miratoi Metodologjinë e Monitorimit të Medias Audio dhe Audiovizive, akt në të cilin u parashikuan procedurat dhe teknikat që duhet të ndjekë AMA, gjatë monitorimit të fushatës zgjedhore. Kjo Metodologji është në fuqi aktualisht dhe bazuar në të, ekipi i monitoruesve të AMA-s ka shqyrtuar mbulimin e fushatës elektorale pas zgjedhjeve te përgjithshme të vitit 2021 e më tej” u shpreh Znj.Krasniqi duke shtuar se nga 2021 e në vazhdim nuk ka pasur asnjë ankesë nga subjektet politike konkuruese dhe kandidatët, për gjetjet që paraqiti AMA pranë KQZ.
Kryetarja e AMA-s u shpreh gjithashtu se: “Gjatë fushatës elektorale AMA mban në monitorim të përhershëm 24 OSHMA-të. Ndërkohë janë dhe 29 OSHMA të tjera, monitorimi i të cilave bëhet me përzgjedhje javore. Lista për OSHMA-të e përhershme, ose të përkohshme, i dërgohet paraprakisht KQZ-së dhe ky i fundit mund të bëjë ndryshime, në varësi të ankesave që mbërrijnë në Komision”.
Znj. Krasniqi shpjegoi konkretisht angazhimin e AMA-s, ku puna fillon më herët se 30 ditëshi i fushatës.
Institucioni që ajo drejton e nis punën 4 muaj para ditës së zgjedhjeve, duke monitoruar nëse në mediat audiovizive pasqyrohen ato që KQZ-ja i konsideron si “Aktivitete të ndaluara”.
AMA mban në vëzhgim faqen online të KQZ ku në një rubrikë te posaçme shpallen aktivitetet që nuk janë miratuar prej saj të zhvillohen (“Aktivitete të ndaluara”), të konsideruara si të lidhura me fushatën (p.sh. inagurime, grante, shpërndarje të titujve të pronësisë etj).
Po kështu, monitorohen institucionet publike në nivel qendror dhe lokal, të cilëve 4 muaj përpara ditës së zgjedhjeve, ju ndalohen reklamat, me përjashtim të atyre që i shërbejnë qëllimit të ndërgjegjësimit të zgjedhësve për aspekte të procesit zgjedhor ose njoftime të tjera të parashikuara nga ligji.
Kjo është tryeza e tretë teknike, që organizohet këtë vit, me synimin për të përmirësuar proceset zgjedhore në fusha që nuk kërkojnë domosdoshmërisht ndryshime ligjore.