Kryetarja e Autoritetit të Mediave Znj. Armela Krasniqi priti në ambjentet e AMA-s, kreun e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Ambasadorin Michel Tarran.
I shoqëruar nga shefi i Departamentit të Demokratizimit, Z.Blerim Vela dhe zyrtarin e lartë për Mediat, Z.Dane Koruga, u interesuan mbi punën e AMA-s, sfidat me të cilat institucioni përballet aktualisht, metodologjinë që përdor, sipas përcaktimeve të KQZ-së, për monitorimin e zgjedhjeve dhe programet e punës për të ardhmen e afërt.
Kreu i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Ambasadorin Michel Tarran, vlerësoi punën e deritanishme të bërë nga Autoriteti i Mediave Audiovizive.
“Iu përgjigja me kënaqësi interesit të kreut të OSBE në Shqipëri mbi punën e AMA-s, ndërsa diskutuam gjithashtu mbi ndryshimet e kryera ligjore në ligjin organik të AMA-s, për përshtatjen me Direktivat dhe akte të tjera të rëndësishme të BE-së, si Akti i Shërbimeve Digjitale (DSA) dhe ato më të fundit, si EMFA (Akti Evropian i Lirisë së Medias)”- tha kryetarja e AMA-s, Znj. Armela Krasniqi.
Sipas saj, koherenca me praktikat ligjore evropiane, përshtatja e tyre me realitetin mediatik shqiptar për rregullimin e mëtejshëm të këtij tregu, shkëmbimi i eksperiencave dhe përvojave me partnerët ndërkombëtarë, janë një nga prioritetet e punës së AMA-s.