E Hënë - E Enjte 08:00 - 16:30 | E Premte: 08:00 - 14:00

Kryetarja e AMA-s prezanton raportin vjetor në seancën plenare në Kuvendin e Shqipërisë

E nderuar Kryetare e Seancës,

Të nderuar deputetë,

 

Në rolin e rregullatorit për transmetimet audio dhe audiovizive dhe shërbimeve të tjera mbështetëse në territorin e Republikës së Shqipërisë, AMA, gjatë periudhës për të cilën raportohet para jush, u angazhua për të përmbushur detyrat dhe funksionet e përcaktuara në ligjin nr. 97/2013, i ndryshuar; në Strategjinë dhe Planin e Veprimit të Autoritetit, për vitet 2021-2023, si dhe në përmbushje të rekomandimeve të Bashkimit Evropian dhe Kuvendit të Shqipërisë, gjatë vitit 2021.

Kredoja e Autoritetit mbetet investimi maksimal në shërbim të publikut, përmes rregullimit, mbështetjes dhe nxitjes së tregut audioviziv të përgjegjshëm, cilësor dhe të shumëllojshëm.

Megjithëse gjatë vitit 2021 pati një gjendje më të përmirësuar,  sa i përket pandemisë COVID-19, AMA e ka vijuar monitorimin për zbatimin e masave dhe protokolleve të Ministrisë së Shëndetësisë, për parandalimin e përhapjes së virusit, në radhët e personelit të medias që angazhohet brenda mjediseve të redaksive e studiove të regjistrimit dhe transmetimit, si dhe respektimin e kufizimeve për pjesëmarrjen e publikut në programet audiovizive  të drejtpërdrejta ose të regjistruara.

Subjektet e licencuara treguan gatishmëri në transmetimin pa pagesë të njoftimeve nga Autoriteti Publik Shëndetësor, si pjesë e fushatës së informimit dhe ndërgjegjësimit të qytetarëve në kushte të pazakonta, duke ndikuar drejtpërdrejt në përballimin e pasojave nga COVID–19. Redaksitë audiovizive gjatë periudhës raportuese, përmes reporterëve, redaktorëve dhe moderatorëve, informuan pa ndërprerje mbi situatën epidemiologjike në vend, si dhe duke trajtuar e analizuar aspekte të ndryshme, që lidheshin me aktualitetin dhe sfidat në përballjen me pandeminë.

AMA ka vijuar të mbajë një qasje proaktive, duke komunikuar rast pas rasti me operatorët, në lidhje me respektimin e detyrimeve që rrjedhin nga ligji 97/2013, i ndryshuar, për rastet e raportimeve, bisedave dhe debateve në studio, emisioneve të ndryshme për sa i përket përcjelljes së mesazheve, që i shërbejnë informimit të saktë dhe shterues për situatën, duke shmangur panikun e popullatës.

Në kontekst të situatës, monitorimi i përmbajtjeve audiovizive të transmetuara u fokusua gjatë vitit 2021 me përparësi tek reklamat mbi medikamentet, si dhe te emisionet për shëndetin. Për vlerësimin e rasteve konkrete Autoriteti komunikoi periodikisht dhe me Agjencinë Kombëtare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore. Tjetër fokus për monitorimin – siç është përshkruar dhe në raportin vjetor që ka dorëzuar Autoriteti në Kuvend – janë dhe mbrojtja e fëmijëve nga përmbajtjet e papërshtatshme; gjuha e urrejtjes dhe diskriminimi; reklmaat e fshehta; mbi buketën programore të RTSH-së, në zbatim të kërkesave të Kontratës së Shërbimit etj.

Shqyrtimi i çdo ankese mbi përmbajtjet e transmetuara ka qenë në vëmëndje të pandërprerë të Këshillit të Ankesave në AMA. Gjatë periudhës raportuese janë shqyrtuar për pëputhshmëri ligjore mbi 300 ankesa. Pjesa më e madhe e tyre janë dërguar pranë Autoritetit nga individë, nga shoqata e organizata të shoqërisë civile.

Në përfundim të shqyrtimit të ankesave, Këshilli i Ankesave, u ka tërhequr vëmendjen operatorëve të licencuar në 22 raste; në 2 raste u ka kërkuar atyre zhvendosjen e orarit të transmetimit për dy seriale filmike, sipas përcaktimeve të Kodit të Transmetimit. Subjektet reaguan në një kohë të shpejtë, duke marrë në konsideratë respektimin e kërkesave ligjore. Në 2 raste të tjera iu është kërkuar operatorëve audiovizivë respektimi i të drejtës së përgjigjes, kërkesë që më pas u respektua prej tyre. Në 3 raste është kërkuar korrigjim i informacionit të transmetuar. Në 5 raste u kërkua prej operatorëve paraqitja e pretendimeve dhe më pas, është konkluduar në arsyetimin final. Në 3 raste është kërkuar nga subjekte të ndryshme informacion në lidhje me një fushatë të iniciuar nga AMA, ndërkohë që në 13 raste ankesat janë rrëzuar, pasi ose ishin jashtë afateve të përcaktuara nga ligji, ose ishin jashtë objektit të punës së Këshillit të Ankesave, ose u mungonin elementë të rëndësishëm për të vijuar me shqyrtimin e ankesave.

Ju keni marrë informacion të detajuar në raportin që AMA ka dorëzuar në Kuvendin e Shqipërisë, por në terma përmbledhës, mund të përmendim se:

-35% e ankesave të trajtuara kanë qenë me objekt shkeljen e të drejtave të fëmijëve, privatësisë së tyre;

-31% me objekt shkeljen e të drejtave të njeriut, etikës dhe moralit publik;

-11% rezultuan jashtë objektit të punës së AMA-s, përcaktuar nga ligji nr. 97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar;

-6% për të drejtën e përgjigjes;

-5% për verifikim informacioni;

– pjesa tjetër kishte objekt të ndryshëm ankimimi.

Duke vijuar me monitorimin dhe shqyrtimin e përmbajtjeve të transmetuara, përmendim faktin se vetëm në periudhën shtator-nëntor, AMA ndërmori 30 masa, 14 prej të cilave ishin për mosrespektimin të kërkesave ligjore dhe Kodit të Transmetimit.

Për 6 subjekte të licencuara janë dhënë masa për përdorim fjalori të papërshtatshëm për të miturit, si dhe cënim të të drejtave të tyre në bazë të nenit 32 dhe 33, i ligjit “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar si dhe pika 5.34 e Kodit të Transmetimit, sipas të cilit “ OSHMA-të duhet të zgjedhin orarin e transmetimit të programeve që mund të dëmtojnë zhvillimin mendor, fizik apo moral të fëmijëve, ose të marrin ndonjë masë tjetër teknike, që fëmijët të mos i shikojnë ose dëgjojnë të tilla transmetime ( Ora kufi 22:00-06:00)”.

Të tjera masa janë marrë për televizionet të cilat kanë transmetuar reklamë të ndaluar në kundërshtim me rregulloren “Për komunikimet audiovizive me natyrë tregtare, format, kushtet dhe koha ditore e lejuar për transmetimin e reklamave”, konkretisht neni 19, pika 10.

Në këtë paraqitje të përmbledhur ju prezantoj po ashtu dhe impaktin në lidhje me veprimtarinë inspektuese të Autoritetit gjatë vitit 2021. Janë realizuar 118 kontrolle të aktivitetit të subjekteve të licencuar, në të cilat, pas përfundimit të kontrolleve dhe shqyrtimit të procedurave përkatëse administrative të standardizuara ka pasur: 13 sanksione me gjobë ndaj subjekteve përsëritës të shërbimit të të tretëve (kabllorë, IPTV, OTT), nga të cilat 12 gjoba janë lënë në fuqi nga Këshilli i AMA-s (tre nga gjobat kanë ulje të masës) dhe 1 gjobë është brenda afatit për t’u ankimuar. Për 12 raste është vendosur tërheqja e vëmendjes ndaj subjekteve OSHMA.

Pjesë e rëndësishme e aktivitetit të Autoritetit është dhe përballja me institucionet e drejtësisë. Gjatë vitit 2021 AMA u përfshi në 25 procese gjyqësore në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë, Tiranë, nga të cilat, 11 procese gjyqësore në cilësinë e palës paditëse, ku: janë Fituar (7); Humbur (1); Mospranim (1); dhe Në proces (2)

Në 14 procese gjyqësore AMA është në cilësinë e palës së paditur ku: janë Fituar (4); është Humbur (1); janë në Mospranim (2); dhe Në proces (7).

Përveç proceseve gjyqësore në gjykim në shkallë të parë, AMA ka vijuar me ndjekjen e proceseve gjyqësore, të cilat janë në proces gjykimi në Gjykatën Administrative të Apelit dhe në Gjykatën e Lartë, çështje këto të mbartura nga vitet paraardhëse.

Në zbatim të kërkesave ligjore ka qenë dhe marrja e masave kundë piraterisë përmes internetit, si një tjetër angazhim prioritetar gjatë vitit 2021. Për periudhën raportuese janë ushtruar kontrolle të shumta në subjektet ISP (internet service provider) të paautorizuara nga AMA për ofrimin e shërbimit audioviziv. Ky është një fenomen i shpërndarë tashmë në gjithë botën, ku pirateria nëpërmjet internetit është shtuar së tepërmi dhe po kthehet në një problem shqetësues ndërkombëtar. Autoriteti i Mediave Audiovizive, nëpërmjet specialistëve të saj, si dhe bashkëpunimit me operatorët privatë (Digitalb dhe Tring) ka identifikuar një sërë sitesh (linqe) pirate, që transmetojnë produkte audiovizive pa autorizimin e AMA-s, si filma artistikë apo evente sportive. Këto site, i janë dërguar organit kompetent AKEP, për marrjen e masave për mbylljen e aksesit në territorin e vendit.

Në bilancin e punës së AMA-s për vitin e kaluar nuk mund të lemë pa përmendur kontributin konkret për zgjedhjet e përgjithshme të 25 Prillit 2021. Për herë të parë, në 21 vite nga krijimi, AMA u përfshi drejtpërdrejt në monitorimin e mbulimit mediatik të OSHMA-ve, gjatë fushatës elektorale për këto zgjedhje. Ju e dini që, më herët, AMA vendoste në dispozicion të KQZ-së vetëm infrastrukturën e saj monitoruese.

Monitorimi i pasqyrimit të fushatës zgjedhore mund të konsiderohet pa frikë një proces i suksesshëm, jo vetëm për faktin se raportet e AMA-s ishin burim reference për raporte të monitoruesve vendas dhe ndërkombëtarë, por, mbi të gjitha, sepse nuk pati asnjë kundërshtim të gjetjeve prej operatorëve audio dhe audiovizivë. Ju keni të dhëna të plota në raportin vjetor, por mund të veçoj faktin se në periudhën një mujore të fushatës zgjedhore, në Studion e Monitorimit dhe Arkivës kanë qenë në regjistrim 48 njësi regjistrimi për subjektet audiovizive dhe 4 njësi regjistrimi për subjektet audio, që në terma statistikorë përkthehet në 34,500 orë regjistrime audiovizive dhe 2,880 orë regjistrime audio.

Çdo ditë në KQZ, raportin ditor të monitorimit për datat 26 mars – 23 prill 2021, dhe për datat 24-25 prill 2021, për respektimin e heshtjes zgjedhore. Raportet ditore të monitorimit përmbanin të dhënat mbi:

-Kohën e monitorimit të secilit prej OSHMA-ve në monitorim, për transmetimet nga ora 08:00-00:00.

-Minutazhin e transmetimeve për secilin subjekt zgjedhor.

-Hapësirën për çdo aktor politik.

-Radhën e vendosjes së kandidatëve në edicionet informative.

-Transmetimet live.

-Raportin gjinor të mbulimit të mediatik të kandidatëve.

Nga aktiviteti i institucionit në vitin e kaluar kujtoj se përfaqësues të Kuvendit të Shqipërisë ishin mes pjesëmarrësve në muajin Tetor në seancat e Konferencës Ndërkombëtare që AMA zhvilloi në Tiranë me temë “Mbrojtja e fëmijëve në mediat audiovizive”. Konferenca ishte konceptuar dhe organizuar në tri panele debate, në të cilat referuan ekspertë nga Britania e Madhe, Belgjika, Gjermania si dhe profesorë e ekspertë të fushës nga vendi dhe rajoni.

Po kështu gjatë vitit 2021, vijoi dhe praktika e bashkëpunimit dhe mbështetjes së partnerëve në sektorin audioviziv në vendin tonë. AMA financoi një sërë projektesh, disa prej të cilave janë konkretizuar me botime librash apo broshurash.

Si pjesë e Aleancës Kundër Gjuhës së Urrejtjes, në përbërje të së cilës janë katër institucione dhe një organizatë jo-fitimprurëse, AMA zhvilloi takimet dhe diskutimet mbi dukurinë e gjuhës së urrejtjes dhe pasojat e saj në shoqëri. Gjithashtu, në bashkëpunimin me Komisionerin për Mbrojtjen nga Diskriminimi, u ndërmor një fushatë sensibilizuese për të sfiduar urrejtjen dhe diskriminimit në media, me qëllim ndërgjegjësimin e sa më shumë aktorëve apo elementëve të shoqërisë shqiptare.

Në muajin nëntor 2021, miratoi Planin Numerik Frekuencor, siç njihet ndryshe DD2, lirimi i brezit 700 MHz) për transmetimet audiovizive numerike tokësore në Republikën e Shqipërisë dhe në zbatim të këtij vendimi, inicioi procesin e koordinimit të brezit UHF me vendet fqinje, në momentin që flasim, ky proces është drejt përfundimi, për sa i përket vendeve fqinjëve.

Një rëndësi e veçantë i është kushtuar edhe përmirësimit të aseteve teknike pranë studios së monitorim/arshivës. Gjatë vitit 2021 u bë i mundur instalimi i pajisjeve të reja për regjistrimin e subjekteve audio, në të gjithë territorin e vendit. Falë këtij investimi, AMA, tashmë mund të ndjekë, në kohë reale, tërësinë e programeve që transmetojnë të gjithë subjektet audio FM lokale, rajonale apo kombëtare. Gjithashtu, në funksion të monitorimit të proceseve zgjedhore, u investua në sektorin e përpunimit të të dhënave në periudhën zgjedhore, duke bërë të mundur blerjen e një softi për përpunimin e të dhënave sasiore të subjekteve audio dhe audiovizive në transmetim. Programi u ndërtua mbi bazën e kërkesave dhe rekomandimeve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në Metodologjinë për monitorimin e zgjedhjeve.

Për aktivitetin e një rregullatori hartimi apo rishikimi i akteve nënligjore mbetet detyrë me shumë rëndësi. AMA, në zbatim të ligjit nr. 97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, në vitin 2021 ka miratuar akte nënligjore si:

-Rregulloren “Për kriteret dhe masat rregulluese për bashkëpërdorimin e infrastrukturës së transmetimit të RTSH-së”, miratuar me vendimin e AMA-s, nr. 39, datë 11.03.2021.

-Rregulloren “Për procedurat e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve për shfrytëzimin e multipleksit”, miratuar me vendimin e AMA-s, nr. 40, datë 11.03.2021.

-Rregulloren “Për procedurat dhe kriteret për dhënien e autorizimit për përdorimin e frekuencave të brezit HF, për ofrimin e shërbimit audio” miratuar me vendimin e AMA-s, nr. 63, datë 27.04.2021.

Gjithashtu AMA, ka hartuar dhe projektrregulloren “Për procedurat dhe kriteret për dhënien e licencës së transmetimit audio analoge”, që synon të përmirësojë dhe plotësojë dispozitat procedurale dhe materiale për lëshimin dhe rinovimin e licencave të transmetimit audio analoge.

Në zbatim dhe të rekomandimeve të Kuvendit të Shqipërisë, gjatë vitit 2021, AMA ka finalizuar 2 marrëveshje bashkëpunimi me institucione, aspektet e punës së të cilave lidhen me fushën e veprimit të Autoritetit, me qëllim krijimin e hapësirave dhe lehtësimin e formave të koordinimit të punës. AMA dhe AKEP kanë nënshkruan Memorandumin e Bashkëpunimit me qëllim garantimin dhe mbështetjen operacionale, teknike dhe ligjore në fushat me interes të përbashkët për të dyja palët. Gjithashtu, është nënshkruar Marrëveshja e Mirëkuptimit “Mbi bashkëpunimin dhe ndërveprimin ndërinstitucional” me Universitetin Politeknik të Tiranës.

Pjesëtarë të stafit të AMA-s gjatë vitit 2021, kanë marrë pjesë në më shumë se 37 konferenca, takime, tryeza diskutimi brenda e jashtë vendit, me homologët dhe bashkëpunëtorët për tema që lidhen me veprimtarinë e autoritetit. Po ashtu, gjatë vitit 2021, AMA, si në vitet e mëparshme, ka mbajtur kontakte të vazhdueshme me homologët, në kuadër të pjesëmarrjes në organizmat evropiane apo rajonale të medias audiovizive, si EPRA, ERGA, BRAF, MNRA, REFRAM etj.

Të nderuar Deputetë!

Aspektet që përmenda në këtë prezantim, por dhe shumë të tjera që ju jeni njohur nga përmbajtja e Raportit Vjetor (përfshi dhe anekset) janë ose të finalizuara, ose vijuese për këtë këtë vit.

Një prej tyre është dhe objektivi për transpozimin e Direktivës Evropiane 2018/1808 në legjislacionin shqiptar. Në kuadër të angazhimeve që rrjedhin nga Marrëveshja e Stabilizim Asociimit, harmonizimi i legjislacionit të fushës audiovizive me “acquis communitaire” është detyrim për vendin tonë.

AMA ka ndërmarrë hapa konkretë për implementimin e Direktivës për të arritur afatet në realizimin e ndryshimeve që do të pasojnë në transmetimet audiovizive, në sinkron me atë të vendeve anëtare të BE-së.

Faleminderit për vëmendjen!

Perpara Njoftim i AMA-s per respektimin e standardit në prezantimin e vlerave monetare
guest
0 Comments
Oldest
Newest Most Voted
Inline Feedbacks
View all comments

Na ndiqni në rrjete sociale:

Copyright 2024 | Autoriteti Mediave Audiovizive | Të drejtat e rezervuara