Ambasadori Z. Lamberto Zannier, shefi i misionit të OSBE/ODIHR për vëzhgimin e zgjedhjeve të 11 Majit dhe analistja e mediave, Znj. Elma Sehalić janë takuar sot me kryetaren e AMA-s, Znj. Armela Krasniqi. Temë e takimit kanë qenë përgatitjet e Autoritetit për monitorimin e mbulimit të fushatës elektorale nga OSHMA-të.
“Në shërbim të këtij procesi janë trajnuar monitoruesit, sipas kërkesave që parashikohen në Kodin Elektoral dhe sipas Metodologjisë së Monitorimit që ka hartuar KQZ-ja. Po kështu kemi marrë të gjitha masat teknike, logjistike dhe administrative për të bërë maksimumin në këtë proces”- ka thënë kryetarja Krasniqi, në përgjigje të interesit të treguar nga ana e përfaqësuesve të misionit të vëzhguesve.
Kryetarja e AMA-s u ka sqaruar se bashkëpunimi me KQZ-në ka filluar që në muajin Janar të këtij viti, për monitorimin e aktiviteteve, të cilat Komisioni i ka konsideruar si të ndaluara.
Misioni i OSBE/ODIHR-it u interesua dhe mori informacion mbi aspekte të veçanta të procesit monitorues, për ndarjen kohore mes subjekteve garuese, për reklamat politike që transmetohen, për prezantimin e sondazheve zgjedhore etj.
Gjetjet e monitorimit të OSHMA-ve publikohen periodikisht në faqen zyrtare të KQZ-së. Në këto të dhëna kanë qasje, jo vetëm partitë politike dhe OSHMA-të, por edhe çdokush i interesuar për këtë informacion. Shumica e subjekteve që angazhohen për ecurinë dhe dinamikën e fushatës elektorale, organizata, institucione e individë, i referohen gjetjeve të AMA-s mbi mënyrën se si OSHMA-të e mbulojnë gjatë gjithë muajit këtë proces.