Edukimi për Median: “Takim i grupit të ekspertëve – Koordinimi dhe sinergjitë mes palëve për një komunikim të përgjegjshëm etik”
Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA), dhe Këshilli i Ankesave, organizoi të hënën, më datë 21.05.2018, Tryezën e Rrumbullakët me temë Edukimi për Median: “Takim i grupit të ekspertëve – Koordinimi dhe sinergjitë mes palëve për një komunikim të përgjegjshëm etik”.
Qëllimi i kësaj tryeze ishte ndërgjegjësimi i publikut të gjerë mbi konceptin paraprakisht se cfarë në thelb është edukimi mediatik. Mprehja e shqisës kritike tek qytetari kundrejt një prodhimi lajmesh e ndodhish në këtë bum teknologjik platformash të ndryshme. Nevoja e përfshirjes së Edukimit Mediatik si lëndë më vete në kurrikulat mësimore mbetet një nevojë emergjente që mund të vetërregullojë në mënyrë të drejtë dhe profesionale efektet e medias në jetën e njeriut dhe sidomos të fëmijëve.
Pjesë e kësaj Tryeze të Rrumbullakët që pati një mbështetje të vazhdueshme nga autoritetet e AMA-s, ishin anëtarë të Komisionit Parlamentar Për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, Ministrisë së Arsimit, Rinisë dhe Sporteve, Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Departamentit të Gazetarisë dhe Komunikimit, përfaqësues të televizioneve, organizmave ndërkombëtarë, Institutit Shqiptar të Medias, studentë të gazetarisë etj.
Nënkryetari i Autoritetit të Mediave Audiovizive, z. Sami Nezaj, duke diskutuar për praktikat rregulluese dhe vetë-rregulluese, politikat, strategjitë dhe legjislacionin lidhur me edukimin në media, nënvizoi disa momente kyçe, që burojnë nga Kushtetuta e Shqipërisë (nenet 22 dhe 23) për median, dhe ligji për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë. Për z. Nezaj, ky i fundit ka qasje periferike për edukimin në media, por ka disa momente që mund të perceptohen lidhur me edukimin në media, si p.sh. Këshilli i Ankesave.
Në fjalën e tij përshëndetëse z. Luçiano Boçi, anëtar i Komisionit parlamentar të Medias, tha se edukimi mediatik, edukimi i shoqërisë, ndërgjegjësimi i saj mund të konsiderohen prioritet. Sipas tij, lëndë të veçanta për edukimin mediatik duhet të ishin përfshirë tashmë në kurrikulat shkollore. Nëse disa vende i kanë me zgjedhje lëndë të tilla, për deputetin Boçi, në Shqipëri duhet të jenë të detyrueshme. Znj. Almira Xhembulla, gjithashtu anëtare e Komisionit Parlamentar Për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, theksoi nevojën për analizë të audiencës, por dhe të produktit që i ofrohet asaj. Ajo përmendi orientimin e Komisionit Evropian sa i përket edukimit në media dhe theksoi nevojën për të ecur edhe më tej me këtë detyrë.
Ndërsa znj. Doriana Dervishi, këshilltare në kabinetin e Ministrisë së Arsimit Rinisë dhe Sporteve, solli një panoramë të gjerë mbi kurrikulat shkollore, universitare por dhe parauniversitare. Sipas saj, ka institucione të arsimit të lartë, që kanë përfshirë module për gazetarinë dhe median, pra për edukimin mediatik. Pyetja është, shtroi znj. Dervishi, a duhen shtrirë këto module edhe në arsimin parauniversitar? Si shembuj të punës së vazhdueshme të Ministrisë së Arsimit në këtë fushë ajo solli projektin pilot për edukimin për fenë, si dhe modulet për të drejtën e informimit apo edukimin ekonomik në arsimin bazë.
Ilda Londo nga Instituti Shqiptar i Medias u ofroi të pranishmëve në këtë tryezë disa të dhëna nga indeksi mbi media në Shqipërisë. Ajo nënvizoi dy momente kryesore të këtij indeksi: i pari, që Shqipëria renditet ndër vendet më të papërgatitura lidhur me edukimin në media dhe i dyti, që publiku ka ende një shkallë të lartë besimi tek media në Shqipëri.
Për zv.drejtoreshën e Bibliotekës Kombëtare, znj. Etleva Domi, duhet një strategji kombëtare për edukimin mediatik, me pjesëmarrjen e shumë institucioneve, pasi në kohët e sotme, interneti dhe zhvillimet teknologjike diktojnë nevojën për një qasje të re ndaj kësaj teme.
Ndërsa z. Ramadan Çipuri, nga Departamenti i Gazetarisë në Universitetin e Tiranës, tha se roli i universiteteve për edukimin në media është parësor. Po aq parësor sa dhe bashkëpunimi me mediat i institucioneve të tjera. Ai parashtroi disa sugjerime në funksion të përmirësimit të situatës së medias në vend. Anëtarja e Bordit të AMA-s, znj. Suela Musta, solli rezultatet e një monitorimi të kryer prej saj për tri televizione, Klan, Top Channel dhe Vizion +, rreth spektakleve show që këto televizione transmetojnë. Sipas saj, janë vërejtur shkelje flagrante të Kodit të Transmetimit, sidomos ndaj imazhit të fëmijëve dhe keqpërdorimit të tyre. Sipas saj, fëmijët po përdoren për qëllime aspak të drejta.
Për ekspertin e medias, z. Rrapo Zguri jemi në epokën e konsumit të informacionit, ku gjithçka është e digjitalizuar, lehtësisht e riprodhueshme dhe e manipulueshme. Ndaj, shtoi ka, ka ardhur koha që të hapet një debat i gjerë: Ku fillon media? Z. Erald Kapri, anëtar i Këshillit të Ankesave pranë AMA-s, solli në vëmendjen raportin e fundit të “Soros”, ku Shqipëria renditet e parafundit për edukimin mediatik, si dhe shtjelloi mënyrat dhe mekanizmat shqiptarë për përfshirjen dhe edukimin e publikut. Znj. Karolina Risto, drejtore ekzekutive e InTV, duke sjellë përvojën e saj edhe si gazetare, dhe tashmë si drejtuese, foli për disa rrugë e mënyra se çfarë mund të bëjë media për të nxitur edukimin e publikut për informacionin. Sipas saj, duhen ndërmarrë iniciativa edhe për të përmirësuar profesionalizmin në media dhe për të zhvilluar mekanizma vetë-rregullues, si një mënyrë për të bashkëpunuar me publikun. Monika Stafa, Kryetare në Këshillin e Ankesave në fjalën e saj nënvizoi ndër të tjera se që në krye të herës duhet të shpjegojmë se cfarë d.th. edukimi mediatik. Ky term, i njohur gjerësisht si Media Literacy nënkupton që konsumatori i medias duhet të jetë në gjendje të bëjë disa pyetje lidhur me sa lexon online apo sheh në televizion. Ai duhet të dijë më së pari se cila media është burimi i informacionit, e më tej, kush është/janë pronarët e saj dhe ç’interesa kanë ata. Si konsumatorë të lajmeve gjithashtu qytetari duhet të mësohet të bëhet më kërkues, shtoi më tej Stafa, sepse aty ku burimet mungojnë dhe “faktet” kalojnë pakontrolluar, ka gjithmonë potencial për propagandë, dezinformim dhe abuzim.
Këshilli i Ankesave në AMA, do të mirëpresë nisma të tilla duke ftuar të gjithë partnerët ndërinstitucional për të bashkëpunuar në këtë çështje aq të ndjeshme së fundmi për të ardhmen e fëmijëve tanë.
Tiranë, më 21.05.2018