Të mërkurën, datë 6 mars 2019, u zhvillua në mjediset e Autoritetit të Mediave Audiovizive në Tiranë, një takim pune mes njësive të programit dhe monitorimit nga dy autoritetet rregullatore të Shqipërisë dhe Kosovës.
Përfaqësuesit e AMA-s dhe Komisionit të Pavarur të Medias, KPM, u fokusuan më shumë tek problematikat e përmbajtjeve të emetuara, si dhe procedimin e vlerësimit të tyre në përputhje me kuadrin legjislativ në fuqi. Kjo, duke u parë në funksion të garantimit të pluralitetit në transmetimet audiovizive, të shumëllojshmërisë dhe cilësisë së programeve që emetojnë televizionet, radiot, platformat digjitale, kabllorët etj.
Takimi ishte konceptuar si një shkëmbim përvoje nga dy rregullatorët, në angazhimin e tyre për të respektuar standardet e transmetimeve në lidhje me mbrojtjen e të miturve, të evitimit të gjuhës së urrejtjes dhe diskriminimit të çdo forme, për reklamat e komunikimet tregtare, për ndjekjen e të drejtave autoriale të prodhimeve audio dhe audiovizuale, nivelin e veprave evropiane etj.
AMA dhe KPM po shohin mundësinë e përmirësimit të aplikimeve dhe programeve kompjuterike në dobi të monitorimit sa më cilësor dhe publikimit sistematik të të dhënave nga perfomanca e tregut audioviziv. Takime të tilla pune do të vijojnë të organizohen dhe në të ardhmen në Tiranë dhe Prishtinë, për shkëmbimin e eksperiencave dhe gjetjen e modeleve më efikase në monitorimin dhe vlerësimin e programeve audiovizive, si dhe nevojës për të ndërhyrë në përmirësimin e akteve nënligjore për këtë aspekt.
Autoriteti i Mediave Audiovizive
06.03.2019