E Hënë - E Enjte 08:00 - 16:30 | E Premte: 08:00 - 14:00

AMA raporton para Nënkomitetit “Drejtësia, Liria e Shprehjes dhe Siguria”, në Bruksel. Zyrtarët europianë vlerësojnë punën e AMA-s dhe nxitjen e procesit të Matjes së Shikueshmërisë

“Lajm i mirë” është vlerësuar nga zyrtarët e Komisionit Europian nisja e procesit të Matjes së Shikueshmërisë dhe ndryshimet ligjore që AMA ka ndërmarrë në këtë drejtim, gjatë punimeve dy-ditore të Nënkomitetit, “Drejtësia, Liria e Shprehjes dhe Siguria”, në Bruksel.

Një përfaqësi nga AMA, kryesuar nga Kryetarja, znj. Armela Krasniqi kanë qenë pjesë e punimeve të këtij Nënkomiteti, ku në fokus të prezantimit dhe diskutimeve ishin hapat konkret të ecurisë së zbatimit të masave ligjore të parashikuara në Planin Kombëtar për Integrimin Europian (PKIE) 2023-2025 për Kapitullin 23, “Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore” dhe ecuria e tyre për periudhën e raportimit.

Nga zyrtarët e BE-së, të pranishëm në takim, u shprehën vlerësime pozitive dhe vlerësuese mbi inciativën për ndryshime ligjore dhe hapat konkret institucional që AMA po ndjek lidhur me mbështetjen e OSHMA-ve, për nisjen prej tyre të procesit të Matjes së Shikueshmërisë, si një ndër kriteret kryesore të realizimit të transparencës së plotë mediatike në tregun audioviziv. Gjithashtu është vlerësuar edhe forcimi i marrëdhënieve të bashkëpunimit dhe të konsultimit me partnerët ndërkombëtarë, të angazhuar në lirinë e shprehjes dhe të medias në BE dhe rajon, me qëllim unifikimin e praktikave rregulluese të autoritetit.

Liria e shprehjes si objektiv, në emër të së cilës Autoriteti Mediave Audiovizive ka nisur rrugën e masave administrative dhe atyre institucionale, për përshatjen e legjislacionit shqiptar (në fushën e medias) me atë të BE-së, dinamika e zbatimit të ndryshimeve në realitetin konkret shqiptar, por dhe planifikimi i hapave vijues, u prezantuan në mënyrë shteruese nga përfaqësuesit e AMA-s.

Në ditën e dytë të takimit, në vijim të raportimit dhe rezultateve të arritura, përfaqësuesit e  AMA-s, si një nga institucionet e përzgjedhura nga shërbimet e Komisionit Europian, kanë zhvilluar takime dypalëshe dhe i janë përgjigjur pyetjeve të adresuara nga zyrtarët e KE.

Në fokus ishte garancia që jep ligjit 97/2013 “Për Mediat Audiovizve në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuar, për përzgjedhjen e antarëve te Bordit të AMA-s, duke u ndalur në parimet e pavarësisë dhe paanshmërisë së institucionit, gjatë vendimarrjeve administrative.

Një rëndësi të vecantë pati për këtë takim dhe prezantimi nga znj. Krasniqi, me detaje i punës që administrata e AMA-s kryen në funksion të qëllimit dhe misionit të saj, për rregullimin dhe monitorimin e tregut audioviziv  në Republikën e Shqipërisë, përzgjedhja e anëtarëve të Këshillit të Ankesave, si dhe organizimi i trupës së punonjësve në zbatim të legjislacionit shqiptar në fuqi. Kryetarja Krasniqi ka raportuar edhe mbi objektivat e punës në vazhdim, siç janë aktet nënligjore, që trajtojnë në mënyrë të veçantë transparencën në strukturën pronësore dhe deklarimin e të dhënave të tjera të lidhura me licencën/autorizimin nga OSHMA-të. Këto detyrime të reja ligjore që burojnë ndaj institucionit, kombinuar së bashku me rritjen e kërkesave nga ana e BE-së për përmirësimin e kuadrit rregullator kombëtar, për publikimin e informacionit të pronësisë së sektorit të medias audio/audiovizive, sjell si domosdoshmëri krijimin e një mekanizmi monitorues prej AMA-s.

Vlerësimi pozitiv dhe garantimi për mbështetje institucionale me praktikat më të mira të vendeve europiane, në kuadër të realizimit të objektivave, ishin finalizimi me sukses i raportimit të radhës përpara zyrtarëve të Komisionit Europian.

Perpara Njoftim shpallje për vend të lirë pune, Përgjegjës në Sektorin e Ndërveprimit, Drejtoria e Botimeve dhe Ndërveprimit

Na ndiqni në rrjete sociale:

Copyright 2024 | Autoriteti Mediave Audiovizive | Të drejtat e rezervuara