E Hënë - E Enjte 08:00 - 16:30 | E Premte: 08:00 - 14:00

AMA organizon Tryezën e Diskutimit “Mbrojtja e fëmijëve nga përmbajtjet e dëmshme audiovizive”

Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA) organizoi sot më datë 26.03.2019, Tryezën e Diskutimit “Mbrojtja e fëmijëve nga përmbajtjet e dëmshme audiovizive”. Pjesmarrës ishin përfaqësues nga OSHMA-të, por dhe nga Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve, Zyra e Komisionerit për të Dhënat Personale, Inspektoriati Shtetëror i Punës, Këshilli Shqiptar i Medias, Observatori për Mbrojtjen e Fëmijëve, Aleanca për Barazinë Gjinore etj.

Mbrojtja e të miturve në ekran është një nga temat më të rëndësishme në perfomancën e subjekteve audiovizive dhe objekt diskutimi në radhët e komunitetit të medias në përgjithësi.  Zëvendëskryetari i AMA-s, Z. Sami Nezaj, në hyrje të punimeve të Tryezës theksoi se këto aktivitete synojnë sensibilizimin e redaksive audiovizive për respektimin e kuadrit ligjor, Kodit të Transmetimit dhe akteve të tjera nënligjore që janë në fuqi.

Gjatë diskutimit u evidentua fakti se AMA për vitin 2019 ka vendosur si një nga tre prioritetet kryesore dhe monitorimin e përrmbajtjeve të transmetuara nga OSHMA-të. Për respektimin e kërkesave të ligjit 97/2013, i ndryshuar, si dhe Kodit të Transmetimit nga monitorimet e bëra nga AMA për mbrojtjen e fëmijëve ka përmirësime, por ende u tha nga të pranishmit evidentohen neglizhenca dhe shkelje, duke transmetuar përmbajtje të dëmshme në ato orare kur mendohet se para ekranit janë fëmijët, apo dhe duke injoruar shenjat paralajmëruese.

Znj. Alma Tandili, Kryetarja e Agjencisë Shtetërore për mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në fjalën e saj theksoi se është e vendosur që në bashkëpunim me të gjithë aktorët e tjerë të bëjë ç’është e mundur për të respektuar fëmijët dhe për të mbrojtur të drejtat e tyre. Ajo i ftoi gazetarët dhe gjithë stafin e mediave që të mendojnë si fillim për fëmijët dhe më pas për shikueshmërinë apo klikimet.

Nga Këshilli Shqiptar i Medias, Znj. Klodiana Gjenerali, tha se me mjetet që Këshilli zotëron kanë organizuar shumë trajnime dhe tryeza për të ndërgjegjësuar dhe drejtuar gazetarët në lidhje me mënyrën sesi raportohet por edhe kujdesin që duhet të tregojnë kur bëhët fjalë për ngjarjet që kanë për protagonistë fëmijët. Ajo po ashtu, ftoi edhe prindërit që të sillen në mënyrë më të kujdesshme dhe të moslejojnë që fëmijët të përdorën në ekrane televizive.

Pjesë e diskutimit u bënë edhe rastet konktrete të të marra nga media audiovizive shqiptare, lidhur me etikën dhe fëmijët të cilat i solli në vëmendje të pjesmarrësve Z. Urim Bajrami, Kryetar i Këshilllit të Ankesave në AMA.

Tryeza ishte konceptuar si ndërthurrje mes prezantimeve të situatës faktike dhe diskutimit nga të pranishmit për mbrojtjen e fëmijëve nga përmbajtjet e dëmshme audiovizive, me skena të dhunshme, të përdorimit të gjuhës së urrejtjes dhe diskriminimit, poronografisë, të përdorimit të lëndëve narkotike etj.

 

Autoriteti i Mediave Audiovizive                                                    

Tiranë më 26.03.2019

Perpara Vëmendje maksimale për çdo ankesë të qytetarëve ndaj transmetimeve audiovizive

Na ndiqni në rrjete sociale:

Copyright 2024 | Autoriteti Mediave Audiovizive | Të drejtat e rezervuara