Në zbatim të rekomandimit të Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian, Autoriteti i Mediave Audiovizive zhvilloi takimin e parë ndërinstitucional për hartimin e Memorandumit të Bashkëpunimit për ngritjen dhe funksionimin e Task Forcës kombëtare për luftën kundër piraterisë digjitale dhe audiovizive, si dhe për mbrojtjen e të drejtave të transmetimit.
Drafti i parë i Memorandumit është përgatitur nga grupi i punës i ngritur pranë AMA-s dhe u prezantua për diskutim me institucionet pjesëmarrëse.
Në takim morën pjesë përfaqësues të Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK), Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), Policisë së Shtetit dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve. Diskutimet u zhvilluan në nivel teknik dhe u përqendruan në ngritjen e Task Forcës, mënyrën e funksionimit të saj, si dhe në përcaktimin e roleve dhe përgjegjësive të secilit institucion.
Zhvillimi teknologjik ka sjellë sfida të reja në luftën kundër piraterisë audiovizive. Pjesa dërrmuese e ankesave për shkeljen e të drejtave të transmetimit lidhet me subjekte ISP, të cilat, nëpërmjet internetit, kryejnë ritransmetim të paligjshëm të përmbajtjeve televizive.
AMA ka ndërmarrë prej kohësh një sërë veprimesh për identifikimin dhe goditjen e këtij fenomeni. Grupet e inspektimit monitorojnë, gjurmojnë dhe denoncojnë rastet e piraterisë, ndërsa në rastet kur është kërkuar, kanë bashkëpunuar me Policinë e Shtetit, Prokurorinë dhe institucionet e tjera ligjzbatuese për vënien përpara përgjegjësisë ligjore të shkelësve.
Ngritja e Task Forcës ndërinstitucionale synon të forcojë bashkëpunimin dhe koordinimin mes institucioneve përgjegjëse, duke krijuar një mekanizëm të qëndrueshëm për parandalimin dhe luftimin e piraterisë digjitale e audiovizive, mbrojtjen e të drejtave të transmetimit, operatorëve të licencuar dhe interesit të publikut.









