Autoriteti i Mediave Audiovizive, në kuadër të instrumentit TAIEX të Komisionit Europian, zhvilloi sot në Tiranë workshopin me temë “Zhvillimi i kuadrit ligjor për median audiovizive në përputhje me Direktivën për Shërbimet Mediatike Audiovizive (AVMSD) dhe Aktin Europian për Lirinë e Medias (EMFA)”.
Workshop-i synon të mbështesë Autoritetin e Mediave Audiovizive në zbatimin e ndryshimeve të fundit të Ligjit nr. 97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, si dhe në avancimin e mëtejshëm të përafrimit të Shqipërisë me kuadrin rregullator të Bashkimit Europian në fushën e mediave audiovizive.
Tryeza mblodhi bashkë përfaqësues të industrisë, të operatorëve që operojnë në tregun audioviziv, institucioneve shqiptare dhe atyre europiane, ekspertë dhe rregullatorë europianë, duke krijuar një hapësirë profesionale për shkëmbimin e përvojave, praktikave më të mira dhe modeleve konkrete të zbatimit të legjislacionit europian në fushën e medias.
Diskutimet u përqendruan në dispozitat e reja ligjore që lidhen me transparencën e pronësisë së medias, deklarimin e pronarëve përfitues, transparencën e financimit publik dhe reklamën shtetërore, si edhe me detyrimet rregullatore që burojnë nga Direktiva për Shërbimet Mediatike Audiovizive (AVMSD) dhe Akti Europian për Lirinë e Medias (EMFA).
Workshop-in e hapi Kryetarja e Autoritetit të Mediave Audiovizive, Znj. Armela Krasniqi, e cila, pasi shprehu mirënjohjen për ekspertët dhe partnerët europianë që bënë të mundur organizimin e këtij aktiviteti, theksoi se për Autoritetin e Mediave Audiovizive bashkëpunimi me institucionet e Bashkimit Europian dhe autoritetet homologe të vendeve anëtare përbën një element thelbësor në procesin e modernizimit të politikave dhe praktikave rregullatore.
“Përmes këtij bashkëpunimi ne jo vetëm përfitojmë nga përvoja dhe ekspertiza europiane, por sigurohemi gjithashtu që reformat që ndërmarrim të jenë në përputhje me standardet dhe vlerat që Bashkimi Europian promovon për një media të lirë, pluraliste, të pavarur dhe transparente”, tha Kryetarja e AMA-s.
Në vijim të fjalës së saj, Znj. Krasniqi theksoi se kuadri ligjor shqiptar për median audiovizive nuk është ndërtuar në një moment të vetëm, por është zhvilluar në mënyrë graduale dhe të vazhdueshme, në përputhje me evolucionin e legjislacionit europian dhe me nevojat e një tregu mediatik në transformim të vazhdueshëm.
“Ligji Nr. 97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, mbetet baza jonë ligjore themelore. Megjithatë, ai ka kaluar një proces të vazhdueshëm përditësimi, duke reflektuar zhvillimet më të rëndësishme në nivel të Bashkimit Europian. Një moment kyç në këtë proces ishte paketa e ndryshimeve ligjore e vitit 2023, e cila mundësoi transpozimin e elementeve kryesore të Direktivës së rishikuar për Shërbimet Mediatike Audiovizive. Këto ndryshime zgjeruan juridiksionin dhe kompetencat rregullatore të AMA-s edhe mbi platformat e shpërndarjes së videove, forcuan mbrojtjen e të miturve, garantuan masa më të forta për aksesueshmërinë e personave me aftësi të kufizuara dhe vendosën, për herë të parë, detyrimin për transparencë mbi strukturën pronësore të ofruesve të shërbimeve mediatike”, shpjegoi Kryetarja.
Ky vit shënoi një tjetër hap të rëndësishëm me miratimin e Ligjit nr. 15/2026, i cili transpozon Aktin Europian për Lirinë e Medias (EMFA). Ky ligj, sipas Kryetares së AMA-s, zhvillon më tej regjimin e transparencës së pronësisë mediatike, duke vendosur një përkufizim të qartë të pronarit përfitues, detyrime konkrete raportimi për ofruesit e shërbimeve mediatike, krijimin e regjistrit elektronik kombëtar të pronësisë mediatike të administruar nga AMA, si edhe një sistem proporcional masash administrative për garantimin e zbatimit efektiv të këtyre detyrimeve.
“Për ne, kjo reformë nuk përfaqëson thjesht përmbushjen e një detyrimi në kuadër të procesit të përafrimit me acquis e Bashkimit Europian. Ajo përfaqëson një instrument të rëndësishëm për forcimin e besimit të publikut tek media, duke garantuar që qytetarët të kenë mundësi të dinë se kush qëndron pas pronësisë dhe kontrollit të mediave nga të cilat informohen çdo ditë”, përfundoi Kryetarja e AMA-s.
Më pas, Drejtoresha e Drejtorisë Ligjore të Autoritetit të Mediave Audiovizive, Donika Daci, prezantoi ndryshimet kryesore të Ligjit nr. 15/2026 dhe ndikimin e tyre në kuadrin ligjor shqiptar për median audiovizive. Ajo u ndal te dispozitat e reja që lidhen me transparencën e pronësisë mediatike, përkufizimet e reja ligjore, detyrimet e ofruesve të shërbimeve mediatike, procedurat e raportimit, si dhe masat administrative të parashikuara për garantimin e zbatimit të ligjit.
Ekspertët e Bashkimit Europian prezantuan praktikat më të mira të vendeve anëtare lidhur me deklarimin e pronësisë së medias, regjistrat publikë të transparencës, mekanizmat e raportimit, bashkëpunimin ndërinstitucional dhe mbikëqyrjen rregullatore. Gjithashtu, gjatë workshop-it u trajtua edhe procesi i hartimit të legjislacionit dytësor dhe akteve zbatuese të nevojshme për zbatimin efektiv të kuadrit të ri ligjor në Shqipëri.
Nëpërmjet këtij aktiviteti synohet forcimi i kapaciteteve institucionale të Autoritetit të Mediave Audiovizive, shkëmbimi i praktikave më të mira me autoritetet homologe të vendeve anëtare të Bashkimit Europian dhe mbështetja e procesit të përafrimit të legjislacionit shqiptar me acquis të Bashkimit Europian në fushën e mediave audiovizive.


























