Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA), dhe Këshilli i Ankesave, organizuan ditën e mërkurën, datë 14.11.2018, Tryezën e Rrumbullakët me temë “Gjuha e urrejtjes në mediat audiovizive”.
Qëllimi i kësaj Tryeze ishte skanimi i situatës përmes prezantimeve të studiuesve dhe ekspertëve të fushës, të cilët ndanë pikëpamjet e tyre analitike në lidhje me gjuhën e urrejtjes në mediat audiovizive, temë kjo që ka tërhequr vëmendjen e katedrave të shumta.
Pjesë e kësaj Tryeze ishin pedagogë të Departamentit të Gazetarisë dhe Komunikimit në Universitetin e Tiranës, anëtarë të Komisionit Parlamentar Për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, përfaqësues të Agjencisë Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijëve, të televizioneve, organizmave ndërkombëtarë etj.
Kryetari i AMA-s, z. Gentian Sala, në fjalën e tij përshëndetëse, theksoi se “hate speech” është një dukuri për të cilën diskutohet dita-ditës, nën dritën e zhvillimeve teknologjike. “Sot diskutohet për raportin e gjuhës së urrejtjes me ligjin, me ligjet për median, me vetë median, internetin dhe rrjetet e shumta sociale. Ndaj së fundi, Parlamenti Evropian ndryshoi Direktivën mbi Shërbimet e Medias Audiovizive. Një pikë e rëndësishme e kësaj direktive janë shërbimet e shpërndarjes së videove, mediave sociale, videot e krijuara nga vetë përdoruesit, pasi qartësisht ‘kanë ndikim të konsiderueshëm dhe lehtësojnë mundësinë që përdoruesit të formojnë apo ndikojnë në opinionet e përdoruesve të tjerë’, nënvizoi z. Sala.
Kryetari i Këshillit të Ankesave pranë AMA-s, z. Urim Bajrami, pasi shpjegoi arsyet pse u ndërmor kjo iniciativë diskutimi për gjuhën e urrejtjes, theksoi nevojën e bashkëpunimit të të gjithë aktorëve dhe faktorëve të kësaj fushe, me qëllim evidentimin e problematikave, sidomos të atyre që lidhjen me përmbajtjen televizive dhe zbatimin e normave ligjore dhe etike, dhe ofrimin e zgjidhjeve për përmirësimin e situatës.
Duke folur për gjuhën e urrejtjes në baza krahinore dhe etnike në mediat audiovizive, z. Alban Tartari solli në vëmendje faktin se shpesh, politikat redaksionale synojnë shikueshmëri të lartë dhe klikime në faqet e televizioneve në internet, ndaj kjo politikë anon nga lajmet negative dhe amplifikimi i tyre. Sipas tij, borde etike, të certifikuar e të konsoliduar, nevojiten në mënyrë që të parandalojnë këto dukuri, si dhe të marrin masa për shkeljet që mund të ndodhin në mediat audiovizive. Njëherazi, shtoi ai, duhet ndërgjegjësim më i madh i gazetarëve, redaktorëve, regjizorëve dhe gjithë prodhuesve të përmbajtjeve radio-televizive.
Deputetja e Kuvendit të Shqipërisë, anëtare e Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik zj. Almira Xhembulla u shpreh se është gjithnjë kënaqësi të gjendesh mes profesionistësh dhe të bëhesh pjesë e tryezave kaq cilësore të diskutimit. Zj. Xhembulla ia njohu pikat e dobëta të diskutimit edhe punimeve të Kuvendit, ku theksin e vuri në respektimin e etikës nga ana e deputetëve të Parlamentit të Shqipërisë. Ajo vuri në vëmendjen e të gjithëve se problemet e gjuhës së urrejtjes duhet të adresohen menjëherë sa pa u kthyer në fenomen të përditshëm në mediat tona.
Ndërsa z. Erlis Çela solli një këndvështrim tjetër të gjuhës së urrejtjes, teksa parashtroi studimin e tij mbi lajmet e kronikës dhe detajeve që lajme të tilla nxisin stereotipa dhe urrejtje tek audiencat. Për të, pavarësisht hapësirës që zë kronika në informacionin e përcjellë nga mediat audiovizve, më e rëndësishme mbetet fenomeni i gjuhës së përdorur në lajmet e kësaj natyre. “Zhvillimet teknologjike, ashtu siç kanë çuar në sakrifikimin e disa parimeve deontologjike dhe profesionale të profesionit të reporterit, kanë shtuar presionin e nxitur nga konkurrenca për lajmin e minutës së fundit”, nënvizoi Çela.
Zj. Laureta Axhami Zela u fokusua në rolin e gazetarëve në parandalimin e gjuhës së urrejtjes në median audiovizive. Ajo prezantoi edhe gjetjet e një sondazhi të kryer mbi njohuritë që kishin gazetarë dhe redaktorë të mediave audiovizive mbi gjuhën e urrejtjes.
Ndërsa z. Bashkim Gjergji diskutoi mbi natyrën dhe shtrirjen e gjuhës së urrejtjes në ditët tona. Sipas tij, në kushtet kur tradita flet për harmoni fetare në vend, për mbrojtje të hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore, për mungesë aktesh agresive e dhune ndaj popujve të tjerë, termi ‘gjuha e urrejtjes në këtë rast nuk përkon me kuptimin që i kanë dhënë shkencat sociale, bazuar në faktet historike dhe përplasjet e shumta nga antikiteti e deri në ditët e sotme.
Më tej, znj. Suela Musta, e fokusoi prezantimin e saj tek stereotipet me bazë gjinore në televizionet lokale si dhe sfidat e përballjes me Kodin e Transmetimit. Duke iu referuar shembujve të sjellë nga Vlora dhe Shkodra, ajo tha se “stereotipet me bazë gjinore përbëjnë ndër cenimet më të shpeshta të etikës së informacionit dhe komunikimit në media, teksa ekrani mban ende supremacinë e informimit dhe edukimit publik”.
Për z. Ramadan Çipuri, një tjetër ekspert i medias, nisur nga realiteti gjithë përfshirës për të gjithë llojet e mediave në ditët e sotme, përmbysja e hierarkisë së dikurshme redaksionale apo edhe format e reja të komunikimit të brendshëm në institucionet mediatike, gjuha e urrejtjes, format dhe përdorimi i saj janë bërë pjesë e pandarë edhe e ofertës televizive, e cila mendohet se ka një kontroll të rreptë para se t’i ofrohet audiencave.
Në fund të kësaj tryeze, Z. Sami Nezaj Zv. Kryetar i AMA-s, bëri përmbledhjen e shkurtër e prezantimeve dhe sugjerimeve.
Autoriteti i Mediave Audiovizive
Tiranë, më 14.11.2018