E Hënë - E Enjte 08:00 - 16:30 | E Premte: 08:00 - 14:00

Autoritetet rregullatore të Shqipërisë dhe Kosovës tregojnë vullnet për forcimin e bashkëpunimit

Një delegacion i nivelit të lartë nga Komisioni i Pavarur i Medias së Kosovës (KPM), drejtuar nga Z. Muja Ferati, Kryetar i KPM-së, Zj. Violeta Hyseni Kelmeni Nënkryetare, Zj. Naile Krasniqi, Drejtoreshën Ekzekutive, dhe Anëtarët Zj. Vlorë Berisha, Zj. Anita Muriqi, Zj. Maja Slavic, Z. Xhemajl Krasniqi, zhvilluan ditën e hënë më 24 shtator 2018 një vizitë pune në Tiranë në Autoritetin e Mediave Audiovive, AMA.

Digjitalizimi i transmetimeve audiovizive, hartimi i procedurave për hartimin dhe miratimin e paketës së akteve nënligjore, zhvillimi i garës për ndarjen e frekuencave për subjektet e interesuara, evidentimi dhe masat kundër emetimit të përmbajtjeve që nuk respektojnë Kodin e Transmetimit, sidomos mbrojtja e fëmijëve etj., ishin disa nga çështjet që u trajtuan në takim.

Kryetari i AMA-s, z. Gentian Sala dhe homologu i tij nga KPM-ja, z. Muja Ferati, si dhe pjestarët e delegacioneve nga dy institucionet rregullatore, parashtruan ato pika të përbashkëta ku bashkëpunimi mund të dinamizohej më shumë.

Pala kosovare ishte e interesuar më shumë për informacion e përvojë mbi procesin e digjitalizimit, ku janë ende në hapat e para të përgatitjeve, duke kërkuar nga AMA ekspertizë ligjore, teknike dhe organizative për kapërcimin e këtij ndryshimi thelbësor në tregun audioviziv të Kosovës.

Z.Sala përsëriti gatishmërinë për të asistuar të gjitha ato procese të cilat ishin të konsoliduara në AMA, duke i bërë të zbatueshme në realitetin e transmetimeve audiovizive të Kosovës.

Mbështetje do të ketë dhe për shqyrtimin e ankesave që bëhen në Kosovë për programet e kanaleve televizive të Shqipërisë, u tha në takim, në favor të garantimit të shumëllojshmërisë dhe cilësisë së produkteve. Gjatë takimit u theksua rëndësia që ka për të dy institucionet, që ankesat që vijnë drejt AMA-s apo KMP-së, nga të gjithë qytetarët, si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri, të trajtohen njësoj nga të dy institucionet.

Buletini Periodik i AMA-s, një botim çdo 6 muaj që publikon AMA prej vitit 2016, ishte një tjetër interes për delegacionin nga Kosova, si një instrument për transparencën e performancës së tregut audioviziv.

Ky takim zyrtar mes rregullatorëve ishte shprehje konkrete për vullnet në forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, me shkëmbimin e informacionit, të përvojave në praktikat ligjore, teknike, organizative etj.

Autoriteti i Mediave Audiovizive

Tiranë, më 24 shtator 2018

Perpara Informacione mbi procesin e digjitalizimit të transmetimeve audiovizive në qarqet e Tiranës dhe Durrësit
guest
0 Comments
Oldest
Newest Most Voted
Inline Feedbacks
View all comments

Na ndiqni në rrjete sociale:

Copyright 2024 | Autoriteti Mediave Audiovizive | Të drejtat e rezervuara