E Hënë - E Enjte 08:00 - 16:30 | E Premte: 08:00 - 14:00

AMA organizon Tryezën e Diskutimit “E drejta e autorit në transmetimet audio dhe audiovizive”

Autoriteti i Mediave Audiovizive, organizoi të mërkurën, datë 04.03.2020 Tryezën e Diskutimit “E drejta e autorit në transmetimet audio dhe audiovizive”, ku morën pjesë përfaqësues nga Ministria e Kulturës, nga SUADA, nga agjencitë ALBAUTOR, FMAA, AKDIE, Gramm – A, nga Inspektoriati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut, Qendra Kombëtare Kinematografike, Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit, Albatrade Plus, nga subjektet audiovizive kombëtare dhe lokale, ekspertë të fushës etj.

AMA e vlerësoi të dobishme organizimin e Tryezës, si një përpjekje konkrete për të krijuar një hapësirë diskutimi dhe ekspertize, pasi vetëm përmes komunikimit të hapur dhe të drejtpërdrejtë çështjet  vlerësohen me realizëm dhe palët e interesuara do të mund të kapërcejnë mangësitë e pengesat përmes bashkëveprimit dhe koordinimit më të mirë.

Në fjalën hapëse të Takimit, kryetari i AMA-s, Z. Gentian Sala nënvizoi faktin se e drejta e autorit është përfshirë në strategjinë 3-vjeçare të institucionit, e cila sapo është përfunduar dhe ky është takimi i parë konsultativ mbi këtë dokument të rëndësishëm. “Konsiderojmë se në fund të tri viteve të ardhshme problematikat me të drejtat e autorit dhe të transmetimit të jenë të përfunduara. Kjo do të arrihet në radhë të parë duke bashkërenduar dhe rakorduar angazhimet dhe kontributet, duke realizuar nëse ka mundësi përmirësime në kuadrin ligjor, në praktikat e metodologjitë që ndjekim”.

Përfaqësuesit e institucioneve, të agjencive të të drejtave të autorit dhe të OSHMA-ve kanë vlerësuar iniciativën e AMA-s dhe kanë parashtruar problematika të ndryshme, të cilat kanë nevojë për ndërhyrje. Ata kanë përmendur raste të moskuptimit si duhet nga përdoruesit e përmbajtjeve audiovizive të detyrimeve që duhet të shlyejnë, mungesën në shumë raste të komunikimit mes grupeve të interesit, paqartësi në metodologjinë e përllogaritjes së detyrimeve për shfrytëzimin e të drejtës së autorit, mungesën e prokurorëve apo gjyqtarëve të specializuar në këtë fushë, transformimin që iu bëhet përmbajtjeve të mbrojtura me ligj nga disa operatorë audiovizivë etj.

Nga të pranishmit u bënë dy propozime për vijimin e këtij diskutimi të rëndësishëm. Së pari ngritja e një grup pune ekspertësh që do të përgatisin një paketë propozimesh konkrete, si dhe organizimin e një tryeze të dytë, por në nivel teknik që do të shqyrtonte dhe analizonte të gjitha propozimet nga grupet e interesit.

Autoriteti Mediave Audiovizive

4 Mars 2020

Perpara AMA organizon Tryezën e Diskutimit “E drejta e autorit në transmetimet audio dhe audiovizive”
guest
0 Comments
Oldest
Newest Most Voted
Inline Feedbacks
View all comments

Na ndiqni në rrjete sociale:

Copyright 2024 | Autoriteti Mediave Audiovizive | Të drejtat e rezervuara