E Hënë - E Enjte 08:00 - 16:30 | E Premte: 08:00 - 14:00

AMA në proces konsultimi publik të Draft Rregullores së Radiove

Autoriteti i Mediave Audiovizive zhvilloi tryezën e dytë të diskutimit mbi Draft Rregulloren e AMA-s për transmetimet audio analoge, e cila është në fazën e konsultimit publik. Takimi i zhvilluar në Shkodër, pason tryezën e parë që u mbajt në qytetin e Korçës me ofrues të shërbimeve audio. Procesi i konsultimit publik, i ndërmarrë nga Autoriteti i Mediave Audiovizive, ka synim komunikimin e drejtpërdrejt me përfaqësuesit e redaksive të radiove, shkëmbimin e mendimeve e propozimeve mes palëve, për të krijuar kështu procedura të lehtësuara, transparencë dhe konkurencë të lirë, ku mendimet dhe propozimet konkrete mbi Draft Rregulloren e diskutuar, konsiderohen nga Autoriteti si një kontribut i rëndësishëm në hartimin e një projekti final, gjithmonë në favor të cilësisë dhe shumëllojshmërisë së shërbimeve radiofonike. Në tryezën e diskutimit “Mbi procedurat dhe kriteret e dhënies së licencës së transmetimit audio analoge”, morën pjesë përfaqësues nga radio private dhe publike të Shkodrës, Tiranës, Lezhës, Kukësit dhe qarkut Dibër. Kryetarja e AMA-s Znj. Armela Krasniqi, në diskutimin e saj tha se “Jo rastësisht u zgjodhën të dy qytetet për takimet konsultative, siç janë Korça dhe Shkodra, pasi këto janë dy qytete me traditë dhe histori në radiofoninë shqiptare. Ndryshimet në Draft do reflektojnë edhe kërkesat e operatorëve mbi procedurat e aplikimit apo dhe lehtësimin e kushteve të rinovimit të licensimit” Ajo theksoi se këto tryeza pune, rrisin eficencën institucionale dhe pozicionin bashkërendues të Autoritetit me operatorët, duke krijuar kështu rrugën e duhur në shmangien e penalizmave e zbatimin korrekt të ligjit. Gjithashtu ajo solli në vëmendje të pranishmëve se propozimet e opinionet e operatorëve ne këto takime do diskutohen në bordin e AMA-s dhe vendimmarrja e tij, do të përcaktojë dhe Rregulloren e re. Të pranishmit e fokusuan diskutimin e Draft Rregullores në kriteret dhe kohëzgjatjen e licencës së transmetimit audio analoge, kërkesat financiare, programore, organizative, teknike etj. si dhe në shkëmbimin e mendimeve nga përfaqësues të radiove private, të cilët evidentuan rolin koordinues e bashkëveprues të Autoritetit me operatorët radiofonikë.
Perpara AMA in the process of public consultation on the Draft Radio Regulation

Na ndiqni në rrjete sociale:

Copyright 2024 | Autoriteti Mediave Audiovizive | Të drejtat e rezervuara