E Hënë - E Enjte 08:00 - 16:30 | E Premte: 08:00 - 14:00

Aleanca Kundër Gjuhës së Urrejtjes në takimin e radhës: Diskutohet Edukimi Mediatik si investim për mbrojtjen e publikut

“Edukimi mediatik si mjet për të luftuar gjuhën e urrejtjes”, ishte tema kryesore e takimit të Aleancës Kundër Gjuhës së Urrejtjes, organizuar nga Këshilli i Europës, KiE. Në tryezë merrnin pjesë Shefja e zyrës së KiE-s në Tiranë, Znj. Giulia Re, Shefja e Sektorit të Drejtësisë pranë Delegacionit të BE-së, Znj. Cinzia Tarletti dhe drejtues të institucioneve që janë pjesë e Aleancës

Në fjalën e hapjes së tryezës, kryetarja e Autoritetit të Mediave Audiovizive theksoi rëndësinë që ka trajtimi i fenomenit të gjuhës së urrejtjes dhe luftës kundër këtij fenomeni.

“Në dekadën e fundit, media dhe komunikimi kanë ndryshuar rrënjësisht dhe teknologjia e ka përmbysur formulën klasike të komunikimit. Kjo metamorfozë e jashtëzakonshme, përveç përfitimeve ka sjellë fenomene të dëmshme, ndër të cilat është edhe gjuha e urrejtjes. Për këtë arsye, rritja e ndërgjegjësimit të opinionit publik, vetëdija për rrezikun që vjen nga gjuha e urrejtjes, dija për adresimin në mënyrë efektive të problematikës që rrjedh nga gjuha e urrejtjes, janë të rëndësishme”, është shprehur Znj. Armela Krasniqi ndërsa ka parashtruar angazhimin e institucionit që ajo drejton në Edukimin Mediatik, si investimi më i sigurt, afatgjatë dhe i suksesshëm në mbrojtjen e publikut nga çdo lloj përmbajtje e dëmshme për të, përfshirë edhe mbrojtjen nga gjuha e urrejtjes. 

Kryetarja e AMA-s ka bërë me dije të pranishmit se për fat të keq gjuha e urrejtjes në transmetimet audiovizive është një çështje e njohur, edhe për entet rregullatore të tregut audiovizive europiane. “Për këtë arsye bashkërendimi i punëve, shkëmbimi i eksperiencave dhe adoptimi i praktikave më të mira kundër këtyre fenomeneve, është strategjia më e sigurt për t’i luftuar ato” –shtoi Znj. Krasniqi.

Në mbyllje të fjalës së saj kryetarja e AMA-s shtroi edhe një tjetër çështje shumë të rëndësishme dhe që ndërlidhet me problematikën që po diskutohej: Lirinë e Fjalës. “E vërteta është që adresimi i gjuhës së urrejtjes nuk do të thotë kufizim apo ndalim i lirisë së fjalës. Do të thotë që gjuha e urrejtjes të mos përshkallëzohet në diçka më të rrezikshme, veçanërisht në nxitje të diskriminimit, armiqësisë dhe dhunës, e cila është e ndaluar sipas ligjit ndërkombëtar”- përfundoi Znj. Krasniqi.

Shefja e zyrës së KiE në Tiranë, Znj. Giulia Re u shpreh se kjo është koha e duhur për të diskutuar këtë temë me shumë rëndësi.

“Gjuhën e urrejtjes e konsiderojmë si një problem të drejtave të njeriut, por siç e përmendi edhe Znj. Armela, nuk mund të anashkalohet demokracia dhe impakti i gjuhës së urrejtjes në demokraci. Ne po punojmë për një plan veprimi mbi demokracinë në Këshillin e Evropës, dhe gjuha e urrejtjes do jetë pjesë e këtij plani për t’i bërë demokracitë më të qëndrueshme”, sqaroi Shefja e zyrës së KiE në Tiranë. 

Për Shefen e Sektorit të Drejtësisë pranë Delegacionit të BE-së, Znj. Cinzia Tarletti ky event mund të shihet si një dëshmi e angazhimit të përbashkët për të krijuar një shoqëri demokratike. “Gjuha e urrejtjes nuk janë vetëm disa fjalë, por ka pasoja serioze, thellon diskriminimin, kërcënon shoqërinë dhe dëmton të drejtat e njeriut ndaj edukimi mediatik është një mjet i fuqishëm, dhe ndihmon individët për të menduar në mënyrë kritike dhe të dallojë faktet nga dezinformomi. Diskutimi i sotëm është një mundësi për të parë më mirë këto fusha kritike të cilat kanë nevojë për ndryshime”- u shpreh Tarletti.

Kryetarja e Këshillit të Ankesave pranë AMA-s, Znj. Mirela Oktrova u shpreh se edukimi mediatik përbën domosdoshmëri për zhvillimin dhe fuqizimin e audiencës dhe që prej vitit 2023 është pjesë e ligjit organik të AMA-s së bashku me detyrimet, që lindin prej tij. “Me rritjen e ankesave publike nga 35 në 2016 në mbi 1000 në 2024, AMA synon të ndërgjegjësojë qytetarët mbi legjislacionin, tregun mediatik dhe teknologjitë e reja. Edukimi mediatik është një sfidë e vazhdueshme që kërkon përfshirjen e prindërve, arsimit dhe rregullatorëve për të ndihmuar individët të përshtaten me zhvillimet teknologjike dhe të zhvillojnë aftësi për të identifikuar, kundërshtuar dhe raportuar gjuhën e urrejtjes në hapësirat digjitale”- tha Znj.Oktrova.

Ilda Londo përfaqësuese e Institutit  Shqiptar të Medias, u shpreh se që prej vitit 2010, Instituti nisi punën në këtë drejtim me institucionet arsimore, kryesisht në arsimin para-universitar, por sipas saj në ato vite kjo iniciativë ishte e parakohshme. “Me ndryshimet në peizazhin informativ lindi një nevojë gjithnjë e më e madhe për edukimin për median dhe informacionin, ndaj ne vitet e fundit e kemi intensifikuar punën si në sistemin para-universitar dhe në atë universitar, duke nisur me ndërhyrjet në kurrikul deri te trajnimi i mësuesve dhe studentëve, për ndërgjegjësimin rreth këtyre fenomeneve.  

Znj. Vilma Shurdha, komisionere pranë Avokati i Popullit, u shpreh se ky institucion është i vetëdijshëm për ndikimin e thellë  që gjuha e urrejtjes ka mbi vlerat demokratike, mbi sigurinë dhe barazinë në shoqëri. Ajo theksoi Rëndësinë e Aleancës Kundër Gjuhës së Urrejtjes, si një platformë bashkëpunimi qe sjell sẽ bashku institucionet publike, shoqërinë civile dhe median për të kundërvepruar ndaj fenomenit të gjuhës së urrejtjes.

Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi Z.Robert Gajda saktësoi se grupet më të prekura nga gjuha e urrejtjes janë grupet minoritare, përfshi LBGT. Ai ngriti dhe shqetësimin e gjuhës së përdorur në Kuvendin e Shqipërisë, ndërsa  shtoi se bashkëpunimi dhe bashkëveprimi me median do të jenë thelbësore për të ardhmen.

Ndërkaq Z.Koloreto Cukali kryetar i Këshillit Shqiptar të Medias analizoi arsyen pse ka shumë pak ankesa nga qytetarët për gjuhën e urrejtjes që sipas tij është pamundësia dhe pafuqia e grupeve të margjinalizuara për ta bërë këtë.

Partnerët themelues të Aleancës Kundër Gjuhës së Urrejtjes janë: Autoriteti i Mediave Audiovizive, Këshilli Shqiptar i Medias, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe Avokati i Popullit

Perpara Njoftim shpallje për vend të lirë pune, Specialist në Sektorin e Çështjeve të Marrëdhënieve me Jashtë, Drejtoria e Integrimit dhe Legjislacionit Ndërkombëtar.
guest
0 Comments
Oldest
Newest Most Voted
Inline Feedbacks
View all comments

Na ndiqni në rrjete sociale:

Copyright 2025 | Autoriteti Mediave Audiovizive | Të drejtat e rezervuara