Kryetarja e AMA-s, znj. Armela Krasniqi ka pritur në një takim akademikun dhe gjuhëtarin e shquar, Gjovalin Shkurtaj. I ngacmuar nga nisma ndërgjegjësuese e AMA-s, “Fol shqip”, që synon frenimin e fenomenit të përdorimit të fjalëve të huaja të panevojshme nga gazetarët, Prof.Dr. Shkurtaj, i është bashkuar kësaj nisme me gatishmërinë për pjesëmarrje dhe me propozime konkrete për vazhdimësinë e saj.
Me kënaqësinë e ritakimit pas shumë vitesh, si ish-studentja me pedagogun e gjuhës shqipe për breza të tërë degës së Gazetarisë, znj. Krasniqi ka shprehur kënaqësinë për këtë bashkëpunim, duke theksuar rëndësinë që ka mbrojtja e gjuhës shqipe. “Ndonjëherë duhet vetëm pak, ndoshta një kujtesë a bashkëbisedim, një ndalesë e shkurtër nga hovi i punëve të përditshme për të kuptuar se sa i rëndësishëm është kontributi i secilit prej nesh në ruajten dhe forcimin e identitetit tonë”, ka thënë znj. Krasniqi.
Me tej është rënë dakort që AMA, me kontributin e Prof.Dr. Shkurtajt dhe gjuhëtarëve të tjerë, të organizojë së shpejti një aktivitet ndërgjegjësues mbi efektet negative që ka në gjuhë, përdorimi i panevojshëm i fjalëve të huaja. Aktiviteti do të jetë gjithëpërfshirës me gazetarë të medias së shkruar dhe vizive, studentë të gazetarisë etj.