Autoriteti i Mediave Audiovizive u bën thirrje ofruesve të shërbimeve mediatike audiovizive (OSHMA) të tregojnë kujdes kur në ekranet e tyre nxitet dhuna, edhe kur nxitja vjen nga të ftuarit në studio, nga personat e intervistuar jashtë studios apo nëpërmjet telefonatave.
Përmes videove të animuara, AMA sjell në vëmendje këtë fenomen dhe përgjegjësinë editoriale të mediave. Në këto video janë përdorur citime nga bisedat në studio televizive që kanë evidentuar monitoruesit e AMA-s.
Në një nga dialogët e evidentuar, folësi i parë tha: “Në Shkodër, studentët kanë thyer selinë e PD-së”, ndërsa folësi i dytë iu përgjigj: “Mirë ia kanë bërë, flakën t’ia vënë dhe asaj. T’ia vënë dhe ShQUP-it këtu njëherë.”
Në një tjetër bisedë televizive u bë kjo deklaratë:
“Policëve iu bëj thirrje. Të gjithë do të identifikoheni. Dhe të gjithë do të mbani përgjegjësi një nga një. Do të vijë një ditë kur nuk do të gjeni vrimë për t’u futur. Për bastardin që është në krye, që ju jep urdhra, me ato do të merren shqiptarët. Duke filluar nga drejtori e poshtë, në 7 breza, në 7 rrathë do gjurmohet pasuria juaj. Edhe b..kët nga koka do jua heqim. Edhe b..ët e grave tuaja nga koka do jua heqim.”
Me këto video, AMA synon të ndërgjegjësojë gazetarët dhe opinionin publik se nxitja e dhunës është e pajustifikueshme, pa etiketuar mediat.
Përgjegjësia editoriale kërkon reagim. Gazetari duhet të ndërhyjë, të kundërshtojë dhe të distancohet qartë nga këto deklarata.
Ligji nr. 97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, përcakton në nenin 4, pika 2, shkronja “dh”, parimin e moslejimit të transmetimeve “që nxisin ose justifikojnë dhunën”.
Sipas nenit 33, pika 1, shkronja “d”, ofruesi i shërbimit mediatik audioviziv duhet “të respektojë rregullat e etikës dhe moralit publik dhe të mos transmetojë programe që mund të nxisin vepra penale”.
Respektimi i lirisë editoriale shkon krah për krah me detyrimin për të mos lejuar që ekranet të kthehen në hapësira ku nxitet dhuna.
Autoriteti i Mediave Audiovizive ka marrë masa ndaj shkelësve, në përputhje me kompetencat që i jep ligji.