Kryetarja e Autoritetit të Mediave Audiovizive, Znj. Armela Krasniqi, paraqiti qëndrimin e AMA-s në seancën dëgjimore në Kuvend për projektligjin “Për të drejtën e autorit dhe të drejta të tjera të lidhura me të”.
Gjatë diskutimit, Znj. Krasniqi theksoi se mbrojtja e krijuesve dhe lufta kundër piraterisë kërkojnë kompetenca të qarta, procedura të zbatueshme dhe siguri juridike për subjektet.
Në këtë drejtim, kryetarja e AMA-s kërkoi që projektligji të përcaktojë qartë kufijtë e kompetencave të Drejtorisë për të Drejtën e Autorit dhe mënyrën e bashkërendimit të tyre me përgjegjësitë ligjore të AMA-s. Kjo qartësi është e nevojshme për të shmangur mbivendosjen e procedurave, vendimet kontradiktore dhe vështirësitë në ushtrimin e kontrollit gjyqësor efektiv.
Znj. Krasniqi nënvizoi gjithashtu se sigurimi i të drejtave të autorit nuk duhet të interpretohet si përjashtim nga detyrimet ligjore në fushën audiovizive. Trajtimi i barabartë i operatorëve në rrethana juridikisht të krahasueshme dhe garantimi i çdo mase që prek median dhe publikun mbeten elemente thelbësore për mbrojtjen efektive të të drejtave.
AMA do të kontribuojë në përmirësimin e projektligjit nga këndvështrimi i medias audiovizive, me synim një kuadër ligjor që mbron krijimtarinë dhe garanton siguri për zhvillimin e sektorit.


