Autoriteti i Mediave Audiovizive ka bërë publike të dhënat mbi bashkëpunimin me qytetarët dhe platformën TikTok për identifikimin dhe heqjen e përmbajtjeve të dëmshme nga platforma për periudhën 4 shkurt – 24 gusht 2026.
Sipas AMA-s, nga momenti i raportimit e deri më tani janë administruar 292 ankesa, prej të cilave 132 përmbajtje janë identifikuar në shkelje të ligjit. Në vijim të shqyrtimit të rasteve, 107 video dhe materiale audio janë hequr nga platforma, ndërsa 25 të tjera vijojnë të jenë në proces shqyrtimi.
Nga 107 përmbajtjet e hequra, AMA raporton se:
- 14 video lidhen me akte dhune;
- 3 video përmbajnë urrejtje fetare;
- 3 video paraqesin pamje të veprave penale;
- 31 video lidhen me ekspozimin e fëmijëve ndaj pornografisë, narkotikëve, alkoolit, duhanit dhe dhunës;
- 53 video kanë përmbajtje që nxit dhunën dhe urrejtjen;
- 3 materiale audio përmbajnë gjuhë që tejkalon standardet morale dhe etike.
1943 raste të raportuara për pirateri
Në të njëjtën periudhë, AMA ka raportuar edhe të dhënat lidhur me shkeljet e të drejtave të autorit në TikTok.
Kështu, janë raportuar gjithsej 1943 raste piraterie, nga të cilat 1000 raste kanë të bëjnë me foto dhe 943 me video. AMA bën të ditur se të 1943 materialet e raportuara janë fshirë nga platforma, ndërsa aktualisht nuk rezulton asnjë rast në proces.
AMA thekson se çdo ankesë dhe raportim i ardhur është shqyrtuar me përgjegjësi të plotë dhe në zbatim të dispozitave ligjore.
Institucioni nënvizon se bashkëpunimi me qytetarët dhe platformat online vijon të mbetet një mekanizëm i rëndësishëm për identifikimin dhe largimin e përmbajtjeve të dëmshme, veçanërisht atyre që prekin të miturit, nxisin dhunën dhe urrejtjen apo cenojnë të drejtat e autorit.

