Kryetarja e Autoritetit të Mediave Audiovizive zhvilloi një takim me të rinj, kërkues, aktivistë dhe profesionistë nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, të mbledhur në Tiranë në kuadër të Programit Rajonal të Lidershipit dhe Mobilitetit të të Rinjve (RYLMP), zbatuar nga SCiDEV.
Gjatë bashkëbisedimit, Kryetarja e AMA-s, Armela Krasniqi, prezantoi funksionet dhe angazhimet e institucionit si ent rregullator në fushën e medias audiovizive, duke u ndalur te rëndësia e edukimit mediatik, zhvillimet në tregun audioviziv, si dhe bashkëpunimet që AMA ka me platformat TikTok dhe X.
Pjesëmarrësit shfaqën interes për çështje specifike që lidhen me median, digjitalizimin dhe sfidat e komunikimit në epokën moderne, ndërsa patën mundësi të vizitojnë ambientet e AMA-s, studion e monitorimit dhe ekipet e ndryshme të punës së institucionit.
Programi Rajonal i Lidershipit dhe Mobilitetit të të Rinjve është një nismë e konsoliduar rajonale që synon fuqizimin e studiuesve, aktivistëve dhe profesionistëve të rinj nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia. Programi promovon përfaqësimin dhe angazhimin rinor në çështje të rëndësishme si arsimi, migrimi, pjesëmarrja rinore, digjitalizimi, tranzicioni i gjelbër dhe bashkëpunimi rajonal.















