Autoriteti i Mediave Audiovizive u bën thirrje të gjitha mediave audiovizive për forcimin e standardeve etike dhe profesionale në raportimin e ngjarjeve me ndjeshmëri të lartë, që përfshijnë fëmijë, gra dhe individë në situata të vështira shoqërore.
Raportimi i këtyre rasteve kërkon vëmendje dhe kujdes të posaçëm editorial, pasi pasojat e ekspozimit mediatik mund të jenë afatgjata dhe të pakthyeshme, veçanërisht për fëmijët.
Autoriteti vlerëson qasjen e përgjithshme të medias, për të mos publikuar pamje dhe të dhëna të drejtpërdrejta identifikuese të të miturve, përmes teknikës së mbulimit apo shmangies së përmendjes së emrave. Megjithatë, praktika e trajtimit të ngjarjeve të fundit ka treguar, se shpesh elementët rrethanorë – si vendbanimi, persona të afërt apo fqinjë dhe identiteti dhe ose fotot e autorëve të dyshuar – kanë çuar në identifikimin indirekt të fëmijëve viktima, duke cenuar mbrojtjen që synon të garantojë Kodi i Transmetimit.
Edhe në raportimin e rasteve të rënda sociale, veçanërisht atyre që përfshijnë gra/nëna në kushte të vështira, është vënë re përdorim i gjuhës stigmatizuese dhe narrativave paragjykuese, megjithë mungesën e informacionit të plotë dhe të verifikuar mbi rrethanat reale të situatës. Trajtimi mediatik i këtyre rasteve, i reduktuar shpesh në etiketim dhe gjykim moral, rrezikon të deformojë realitetin dhe të nxisë reagime linçuese në opinionin publik.
Autoriteti rikujton se interesi publik duhet të shkojë paralelisht me mbrojtjen e interesit më të lartë të fëmijës, privatësisë, dinjitetit njerëzor dhe prezumimit të pafajësisë. Raportimi i përgjegjshëm kërkon jo vetëm respektimin formal të rregullave teknike, por edhe një vlerësim të kujdesshëm të ndikimit social që përmbajtja mediatike ka.
Në këtë kuadër, Autoriteti u bën thirrje profesionistëve të medias, që:
- të tregojnë kujdes të shtuar ndaj çdo elementi që, edhe në mënyrë indirekte, mund të çojë në identifikimin e një fëmije të mitur;
- të shmangin publikimin e detajeve rrethanore që, të marra së bashku, ekspozojnë identitetin e të miturve;
- të raportojnë rastet sociale familjare me gjuhë të balancuar, neutrale dhe jo-stigmatizuese;
- të mos ndërtojnë narrativa përfundimtare apo gjykime morale pa informacion të plotë dhe të verifikuar;
- të marrin parasysh ndikimin që titujt, gjuha dhe pamjet prodhojnë në opinionin publik.
Autoriteti i Mediave Audiovizive do të vijojë monitorimin e standardeve të përmbajtjeve audovizive dhe, në rast të shkeljeve të konstatuara, do të reagojë me masat administrative, që parashikon legjislacioni në fuqi.
Kjo thirrje synon të risjellë në vëmendje detyrimin prpfesional dhe shoqëror për një raportim të përgjegjshëm, etik dhe në përputhje me të drejtat themelore të njeriut, në funksion të interesit publik dhe mbrojtjes së grupeve në situata të vështira shoqërore
AUTORITETI I MEDIAVE AUDIOVIZIVE