E Hënë - E Enjte 08:00 - 16:30 | E Premte: 08:00 - 14:00

Roli i medias në krijimin e një shoqërie të ndërgjegjshme. Sekretarja e Përgjithshme e AMA-s në samitin e organizuar nga RTUK

Forcimi i medias dhe roli i saj në krijimin e një shoqërie të ndërgjegjshme ka qenë tema e samitit 2-ditor, organizuar nga Këshilli Suprem i Radios dhe Televizionit Turk, RTUK, në Ankara. Me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të lartë të rregullatorëve të rajonit, studiues, përfaqësues të medias dhe personalitete të botës akademike dhe politikës, ky samit ka qenë qendër e diskutimeve të temave aktuale të medias, që sot e kanë shndërruar në sfidë jo vetëm rregullimin për edhe vete komunikimin mediatik.

E ftuar për të qenë pjesë e panelit, “Efektet e përmbajtjeve të dëmshme mediatike në shoqëri dhe propozimet e zgjidhjeve”, Rrapollari ka bërë një prezantim të gjendjes së medias sot, fenomeneve negative që ka nxjerrë në pah zhvillimi i teknologjisë, efekteve që ato kanë në publik dhe i është përgjigjur interesit të të pranishmeve me zgjidhjet e mundshme për pastrimin e hapësirave virtuale, dhe jo vetëm, nga përmbajtjet e dëmshme mediatike.

Në panelin e moderuar nga Zëvendëskryetari i RTUK, Deniz Guler, merrnin pjesë avokati dhe shkrimtari, Bahadır Yenisehirlioglu, Sekretari i Përgjithshëm i rregullatorit të Azerbajxhanit (ACRA), Fazil Novruzov dhe Zëvendëspresidenti i Autoritetit Rregullator të Medias Elektronike të Serbisë (REM), Sasa Simovic.

“Media formëson perspektivën tonë mbi botën, stilin tonë të jetesës, strukturën tonë shoqërore dhe mënyrën se si marrim vendime. Prandaj, media është e rëndësishme sepse është një nga strukturat më të fuqishme që ndikon në mënyrën se si mendojmë, ndihemi dhe veprojmë.” ka thënë Rrapollari ndërsa ka analizuar fenomenet negative që vihen re sot në mediumet mediatike dhe elementet profesionale që duhen forcuar aty.

Në diskutime është theksuar se, si një medium që formëson strukturën e mendimit shoqëror dhe gjykimin e vlerave, është e rëndësishme që media të jetë e përgjegjshme dhe profesionale.

Gjatë ditës së dytë të samitit janë shpallur edhe fituesit e konkursit, “Posteri digjital”, organizuar nga RTUK me qëllim promovimin e një mjedisi më produktiv dhe kritik në fushën e medias.

Perpara Monitorimi i përmbajtjeve, lajmet politike zënë vendin kryesor në edicionet informative
guest
0 Comments
Oldest
Newest Most Voted
Inline Feedbacks
View all comments

Na ndiqni në rrjete sociale:

Copyright 2025 | Autoriteti Mediave Audiovizive | Të drejtat e rezervuara