Prezantohet “Një kurë për besimin e thyer”, një botim për menaxhimin e infodemisë dhe keqinformimit shëndetësor mbështetura nga AMA

Në ambientet e Autoritetit të Mediave Audiovizive u prezantua botimi “Një kurë për besimin e thyer: Udhërrëfyes praktik për menaxhimin e infodemisë dhe keqinformimit shëndetësor në Shqipëri”, hartuar nga studiuesi i komunikimit të shëndetit publik, Thanas Goga, në kuadër të projektit “Shëndeti në Fokus”, të mbështetur nga AMA.

Takimi mblodhi gazetarë që mbulojnë sektorin e shëndetësisë në mediat audiovizive, drejtues të organizatave dhe rrjeteve të gazetarëve, studiues dhe profesionistë të shëndetit publik.

Botimi trajton infodeminë si një nga sfidat e mjedisit të sotëm informativ, ku fluksi i lartë i informacionit dhe qarkullimi i njëkohshëm i fakteve, opinioneve dhe përmbajtjeve të pasakta vështirësojnë orientimin e publikut. Në fushën e shëndetit, pasojat e këtij fenomeni janë veçanërisht të ndjeshme.

Përballimi i infodemisë kërkon bashkëpunim mes gazetarisë, kërkimit shkencor, profesionistëve të shëndetit, shoqërisë civile dhe institucioneve. Informacioni i verifikuar dhe raportimi i bazuar në prova shkencore janë thelbësorë për të ndihmuar qytetarët të orientohen dhe të marrin vendime të informuara për shëndetin e tyre.

Gjatë vitit 2026, AMA ka mbështetur 10 projekte në fushën e gazetarisë, të realizuara nga shoqata dhe rrjete gazetarësh. Kjo mbështetje është pjesë e një qasjeje të hapur dhe gjithëpërfshirëse, që nxit bashkëpunimin me komunitetin e medias, studiuesit, akademinë, organizatat profesionale dhe shoqërinë civile.

Përmes këtyre nismave, AMA synon të forcojë dialogun dhe të krijojë ura bashkëpunimi, duke kontribuar në një ekosistem mediatik profesional, pluralist dhe të qëndrueshëm, në shërbim të interesit publik.

Publikimin e plotë e gjeni ne: https://ama.gov.al/wp-content/uploads/NJE-KURE-PER- BESIMIN-E-THYER.pdf

Na ndiqni në rrjete sociale:

Copyright 2026 | Autoriteti Mediave Audiovizive | Të drejtat e rezervuara

Mirembahet nga INSTANT.AL