Kryetarja e Autoritetit të Mediave Audiovizive, Znj. Armela Krasniqi dhe Drejtori në Detyrë i EKIP, Elvis Babačić, nënshkruan Marrëveshjen Teknike përfundimtare për koordinimin ndërkufitar të brezit të frekuencave UHF 470–694 MHz mes Shqipërisë dhe Malit të Zi.
Nënshkrimi përmbyll një proces të nisur në vitin 2022, kur dy institucionet arritën marrëveshjen në parim dhe të vijuar përgjatë katër viteve me diskutime, konsultime dhe negociata teknike.
Marrëveshja përcakton parametrat teknikë dhe kushtet për përdorimin e koordinuar të frekuencave nga të dy vendet. Ajo synon shmangien e interferencave të dëmshme ndërkufitare, përdorimin më efikas të spektrit dhe krijimin e kushteve për zhvillimin e mëtejshëm të rrjeteve të televizionit digjital tokësor (DTT).
Ky proces është pjesë e riplanifikimit të spektrit në përputhje me zhvillimet europiane, përfshirë Vendimin (BE) 2017/899 dhe përcaktimet e Konferencës Botërore të Radiokomunikimeve (WRC-23).
Znj. Krasniqi vlerësoi bashkëpunimin e qëndrueshëm institucional mes AMA-s dhe EKIP-it, duke falënderuar Elvis Babačić, si dhe Boris Jevrić, drejtues i Departamentit të Radiokomunikimeve dhe Ndihmësdrejtor Ekzekutiv, Amir Molazecirović dhe Ana Vukčević, për kontributin dhe angazhimin gjatë këtij procesi. Një falënderim të veçantë u adresoi ekipeve teknike të të dy institucioneve, puna e të cilave mundësoi finalizimin e marrëveshjes.





















