Autoriteti i Mediave Audiovizive vazhdon fushatën “Fol Shqip” duke monitoruar përdorimin e fjalëve të huaja në mediat audiovizive me qëllim ruajtjen e pastërtisë së gjuhës shqipe.
Nisur nga fenomeni shumë i përhapur, i përdorimit të panevojshëm të fjalëve të huaja, jo vetëm në përditshmëri, por edhe në media, Autoriteti i Mediave Audiovizive ka bashkëpunim me gjuhëtaren Adelina Qosja Çerpja nga Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë, ku përveç identifikimit të gabimeve gjuhësore në media, janë ofruar forma korrekte për të ndihmuar punonjësit e mediave që të shmangin përsëritjen e tyre.
“Me besimin se kjo do të ndihmojë në ndërgjegjësimin e punonjësve të medias për mbrojten e gjuhës shqipe, AMA do ta vazhdojë këtë mbikqyrje duke publikuar herë pas here gjetjet dhe alternativat e fjalëve të huaja, në gjuhën shqipe”-është shprehur kryetarja e AMA-s, Armela Krasniqi.