Bruksel, 2 mars 2022
Deklaratë për shtyp
ERGA qëndron e bashkuar dhe e gatshme për të kontribuar në efektivitetin e sanksioneve të reja ekonomike të BE-së ndaj mediave ruse të kontrolluara nga shteti
Pas deklaratës së Presidentes së Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen, për masat e mëtejshme për t’iu përgjigjur pushtimit rus në Ukrainë më datë 27 shkurt 2022, Këshilli i Bashkimit Evropian miratoi Vendimin (CFSP) 2022/351 që ndryshon Vendimin 2014/512/CFSP dhe vendosjen e masave të mëtejshme kufizuese kundër mediave propagandistike ruse, si dhe Rregulloren (BE) 2022/350 që ndryshon Rregulloren e Këshillit (BE) Nr. 833/2014 në lidhje me masat kufizuese në funksion të veprimeve të Rusisë që destabilizojnë situatën në Ukrainë. Këto masa do të zbatohen me efekt të menjëhershëm dhe drejtpërdrejt në të gjitha Shtetet Anëtare të BE-së dhe synojnë të kufizojnë aksesin e mediave kryesore ruse të kontrolluara nga shteti, Russia Today dhe Sputnik në tregun mediatik evropian.
Që në fillim të muajit shkurt, autoritetet gjermane të medias njoftuan vendimin e tyre në lidhje me shpërndarjen e RT-Russia Today Gjermani. Që nga java e kaluar, rregullatorët e medias në Letoni, Lituani, Poloni, Estoni dhe Bullgari bën të ditura masat e ndërmarra për të kufizuar transmetimin e disa shërbimeve të medias ruse në territoret e tyre përkatëse.
ERGA qëndron e bashkuar dhe shpreh angazhimin e saj për të kontribuar në zbatimin e shpejtë dhe efektiv të masave nga të gjitha palët e interesit. Në këtë drejtim, rregullatorët e pavarur të medias në ERGA do të vazhdojnë të punojnë ngushtë me Komisionin Evropian.
Për më tepër, anëtarët e ERGA do të vazhdojnë më tej punën e tyre për dezinformimin, duke përfshirë edhe dezinformimin në lidhje me agresionin aktual të Rusisë në Ukrainë. Taskforca përkatëse e ngritur në Nëngrupin e ERGA për dezinformimin synon të shërbejë si një qendër për shkëmbimin e përvojave dhe praktikave më të mira në lidhje me monitorimin, analizimin e mjedisit mediatik me fokus të veçantë në narrativat e dezinformimit nga aktorët e huaj dhe manipulimin e informacionit në lidhje me zhvillimet aktuale në Ukrainë.
Duke komentuar lidhur me këto sanksione të reja, Kryetari i ERGA Karim Ibourki u shpreh: “ERGA thekson se këto sanksione të reja shërbejnë si jehonë për këtë krizë madhore me të cilën po përballet bota dhe Evropa. ERGA ka besim të plotë në vendimet e marra nga Këshilli dhe është e ndërgjegjshme se sa serioze është kjo situatë. Pavarësisht nga konflikti aktual, është tejet e rëndësishme që lufta kundër manipulimit dhe dezinformimit, duke respektuar plotësisht mbrojtjen e lirisë së fjalës, mbetet një prioritet në debatin evropian, veçanërisht në kontekstin e rregulloreve të ardhshme, duke përfshirë Ligjin për Shërbimet Digjitale (DSA) dhe Ligjin Evropian për Lirinë e Medias (EMFA). Ne kemi nevojë për një kuadër të fortë të BE-së për të garantuar vlerat demokratike, duke siguruar njëkohësisht një mjedis të shëndetshëm digjital dhe mediatik.”
Rreth ERGA:
Grupi Evropian i Rregullatorëve për Shërbimet e Medias Audiovizive (ERGA) përbëhet nga autoritetet rregullatore kombëtare që operojnë në fushën e shërbimeve të mediave audiovizive. ERGA ofron këshillim për Komisionin Evropian dhe lehtëson bashkëpunimin ndërmjet organeve rregullatore në BE. Z. Karim Ibourki, President i CSA belge (Conseil supérieur de l’audiovisuel) është Kryetari aktual i ERGA.