E Hënë - E Enjte 08:00 - 16:30 | E Premte: 08:00 - 14:00

Qarku Durrës – Tryeza e dhjetë e këshillimit publik në kuadër të rishikimit të Kodit të Transmetimit

Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA) organizoi më 24 janar 2023, në Durrës, tryezën e dhjetë të këshillimit publik, në kuadrin e rishikimit të Kodit të Transmetimit.

Tryeza gjithëpërfshirëse në qarkun e Durrësit u paraqiti grupeve të interesit qasjen, linjat dhe strukturën e rishikimit të Kodit në tërësi, me fokus te kapitujt “Barazia gjinore dhe mbrojtja e fëmijës në transmetimet audiovizive”, te “Parandalimi dhe luftimi i gjuhës së urrejtjes”, te “Respektimi i të drejtave të personave me aftësi të kufizuar dhe aksesi i tyre në transmetimet audiovizive”, si dhe tek “E drejta për privatësi dhe mbrojtje të të dhënave personale”.

Në tryezë morën pjesë përfaqësues të OSHMA-ve, shoqërisë civile, administratës dhe institucioneve arsimore lokale, etj. Diskutimi evidentoi interesim të veçantë për kapitujt e fokusuar te detyrimet e OSHMA-ve në kuadrin e mbrojtjes së të drejtave themelore të njeriut, konkretisht të respektimit të privatësisë, promovimit të diversitetit si edhe mbrojtjes së kategorive vulnerabël apo/dhe veçanërisht të ekspozuara ndaj diskriminimit, si: gratë, fëmijët, PAK, pakicat kombëtare e sociale, personat me orientim seksual ndryshe, etj.

Kryetarja e Këshillit të Ankesave, Mirela Oktrova, paraqiti shkurt procesin e rishikimit të Kodit të Transmetimit në përmbushje të detyrimeve të rrjedhura prej Planit Strategjik 2021-2023 të Autoritetit, kërkesave të zhvillimit teknologjiko – shoqëror dhe standardeve ndërkombëtare.

Ajo iu referua ekuilibrave, që procesi i rishikimit ka synuar të ruajë dhe risive, që ai ka prodhuar, rëndësisë së këshillimit publik për bashkërendimin e pritshmërive të të gjitha grupeve të interesit kundrejt Kodit të Transmetimit, si një ankt nënligjor me vlerë bazike për garantimin e rolit rregullator të Autoritetit të Mediave Audiovizive dhe Këshillit të Ankesave në marrëdhëniet midis OSHMA-ve dhe publikut, në administrimin e ankesave si edhe në edukimin mediatik të të gjitha palëve.

Përfaqësuesit e OSHMA-ve dhe shoqërisë civile u ndalën tek ekuilibrat, që duhet të respektojë gazetaria investigative. Me shembuj konkretë, ata shtruan nevojën e ruajtjes së privatësië së fëmijëve të abuzuar, përfshirë shmangien e publikimit të inicialeve dhe të dhënave rrethanore; nevojën e verifikimit të modeleve të sjelljes dhe veshjes së moderatorëve të emisioneve për fëmijë, për shkak të ndikimit te fëmijët; evidentuan raste konkrete të shkeljes së prezumimit të pafajsisë dhe etiketimit të të dyshuarve arbitrarisht si “fajtorë” apo “autorë”, u ndalën te imazhi, që politika dhe politikanët krijojnë nisur për shkak të gjuhës së urrejtjes, që përdorin; te domosdoshmëria e respektimit të afateve dhe modaliteteve të aplikimit të “përgënjeshtrimit” apo së “drejtës së përgjigjes” nga ana e mediave; te pasojat e rrjedhjes së informacionit në rastet e identifikimit të dëshmitarëve të rëndësishëm, në rastet e birësimeve apo në ngjarjeve të rënda (vrasje apo aksidente).
Ekspertja e angazhuar nga AMA për analizimin dhe hartimin e Kodi të ri të Transmetimit, Prof. Dr. Vasilika Hysi, në cilësinë e juristes dhe njohëses së lirive dhe të drejtave të njeriut, prezantoi me detaje ndryshimet e propozuara për seksionet në diskutim. Ajo u ndal ndër të tjera, në rëndësinë e hartimit të një kapitulli të veçantë dispozitash dhe rekomandimesh për barazinë gjinore dhe gjuhën e urrejtjes, në konsensusin e përgjithshëm shoqëror përkitazi shtimit të dispozitave në dobi të interesit më të lartë të fëmijës, në detyrimin për standarde ndërkombëtare në trajtimin e privatësisë dhe të dhënave sensitive si edhe në shpjegimin e së “drejtës së harresës|” dhe detyrimit për respektimin e saj në veprimtarinë audiovizive.

Autoriteti i Mediave Audiovizive inkurajon të gjithë aktorët dhe faktorët që të konsultohen me projektkodin dhe të bëjnë komentet ose propozimet e tyre lidhur me të.

Fushata e këshillimit publik për Kodin e Ri të Transmetimit planifikohet të vazhdojë deri në fund të tremujorit të parë të këtij viti. Gjatë gjithë kësaj kohe, Projektkodi i plotë i Transmetimit do të qëndrojë i publikuar në faqen zyrtare të Autoritetit të Mediave Elektronike – në rubrikën Këshillimi publik – për të garantuar akses të plotë në dokument, jo thjesht dhe vetëm të OSHMA-ve dhe grupeve të tjera të interesit, por edhe të publikut të gjerë – si për t’u njohur me të, ashtu edhe për të formuluar vërejtje, komente dhe propozime për aspekte të caktuara të tij.

Perpara Njoftim shpallje për vend të lirë pune, Drejtor në Drejtorinë e Planifikimit të Frekuencave dhe TIK

Na ndiqni në rrjete sociale:

Copyright 2021 | Autoriteti Mediave Audiovizive | Të drejtat e rezervuara