Një ditë para zgjedhjeve të 11 Majit, kryetarja e AMA-s, znj. Armela
Krasniqi ka marrë pjesë në takimin e organizuar nga OSBE, mes delegacioneve të
Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Asamblesë Parlamentare të Këshillit të
Europës (PACE) dhe Parlamentit Europian (PE) dhe drejtues të institucioneve
shqiptare, kandidatë, ekspertë dhe përfaqësues të medias.
Gjate këtij takimi, Krasniqi ka informuar të pranishmit mbi monitorimin që
AMA i bën procesit zgjedhor, bazuar në Metodologjinë e hartuar dhe miratuar nga
KQZ-ja. Në fokus të monitorimit që bën AMA janë: edicionet informative, debatet
dhe forumet, pasqyrimet e aktiviteteve të drejtpërdrejta, reklamat politike dhe
prezantimet e sondazheve zgjedhore.
Puna e AMA-s për monitorimin e zgjedhjeve nis katër muaj përpara fillimit
të fushatës me pasqyrimin e aktiviteteve të shpallura “të ndaluara” nga KQZ-ja.
Ndër masat paraprake të ndërmarra përmenden: hartimi dhe dërgimi pranë KQZ, i
listës së OSHMA-ve që ishin në monitorim të përhershëm dhe të përkohshëm, 47
OSHMA në total, thirrja e adresuar OSHMA-ve para fillimit të fushatës për
respektimin e kërkesave të Kodit Zgjedhor, trajnimi në grup dhe individual për
të gjithë monitoruesit e angazhuar mbi bazën e kërkesave që ka Kodi Zgjedhor
dhe Metodologjia e Monitorimit, mbi aspekte të përmbajtjes së skedës ditore që
plotësohet për çdo OSHMA, por dhe mbi aspekte teknike të përdorimit të
programit etj.
Delegacioni prej 95 parlamentarësh, bashkë me stafet përkatëse, nga OSBE,
PACE dhe PE ndodhen në Tiranë, si vëzhgues të zgjedhjeve të 11 Majit. Pas
prezantimeve të institucioneve dhe gazetarëve të pranishëm, ata kanë drejtuar
edhe pyetje dhe komente shtesë, me qëllim marrjen e një informacioni të plotë
dhe të ekuilibruar mbi procesin zgjedhor në Shqipëri.