Kryetarja e AMA-s priti përfaqësues të OSHMA-ve me të cilët konsultoi disa shtesa dhe ndryshime në rregulloren, “Për komunikimet audio dhe audiovizive me natyrë tregtare, format, kushtet dhe koha ditore e lejuar për transmetimet e reklamave”.
Ndryshimet ligjore të bëra si transpozim i akteve të rëndësishme europiane, siç është Direktiva Europiane për Transmetimet Audiovizive, (AVMSD), kanë sjellë nevojën e rishikimit të akteve nënligjore, siç është rregullorja e komunikimeve me natyrë tregtare.
Të njohur më parë me ndryshimet e hedhura për konsultim dhe shqyrtimit të tyre, përfaqësues të OSHMA-ve, kërkonin të diskutonin dhe të qartësonin pika të veçanta të kësaj rregulloreje.
Në konsultimin e zhvilluar pranë Autoritetit të Mediave Audiovizive ishte e pranishme edhe kryetarja e Komisionit Parlamentar për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik, Znj. Jorida Tabaku.
Kryetarja u bëri me dije përfaqësuesve të pranishëm, rëndësinë e procesit të transpozimit të akteve europiane që lidhen me median, të cilat janë jo vetëm pjesë e procesit të integrimit, por edhe kanë si qëllimin rregullimin e mëtejshëm të tregut audio dhe audioviziv, si një treg mediatik i standardeve europiane.
Krasniqi theksoi se institucioni që ajo drejton është në krah të operatorëve, i hapur për çdo propozim që synon ligjshmërinë dhe rregullimin dhe që aktet nënligjore të shërbejnë ashtu siç ligji dhe detyrimet europiane të Shqipërisë, e kërkojnë.




















