Një takim pune mes Kryetares së AMA-s, znj. Armela Krasniqi, dhe kreut të rregullatorit të Polonisë, z. Maciej Swirski, e ka ngritur në një stad tjetër bashkëpunimin mes dy rregullatorëve.
Gjatë vizitës në Varshavë, në Këshillin Kombëtar të Radios dhe Televizionit Polak (KRRIT), znj. Krasniqi zhvilloi takime edhe me anëtarët e Bordit Drejtues të këtij institucioni, ku prezantoi objektivat kryesore të punës së AMA-s.
Gjatë takimit u diskutuan sfidat aktuale të tregut mediatik, aktet rregullatore evropiane, si dhe Edukimi Mediatik si një mjet i rëndësishëm për forcimin e një audience të përgjegjshme dhe të përgatitur për qasje kritike ndaj përmbajtjeve mediatike.
Kryetarja Krasniqi iu përgjigj interesimit të anëtarëve të Këshillit në lidhje me transpozimet ligjore që Autoriteti ka bërë në përputhje me legjislacionin e BE-së, përfshirë ndryshimet në kuadër të zbatimit të Aktit për Shërbimet Digjitale (DSA), Aktit për Lirinë e Medias (EMFA), si dhe hapa të tjerë të rëndësishëm për rregullimin e mëtejshëm të tregut audio dhe audioviziv.
AMA dhe KRRIT kanë nënshkruar një Memorandum Bashkëpunimi më 11 shtator 2024, në Tiranë, i cili ka forcuar lidhjet dhe shkëmbimin e eksperiencave mes dy institucioneve.
Ky takim gjithashtu hapi rrugën për shkëmbim të mëtejshëm të ekspertizës dhe praktikave më të mira, të nevojshme për punën e secilit rregullator. Krasniqi dhe Swirski ranë dakord për organizimin e aktiviteteve të përbashkëta.