Sfidat e procesit të digjitalizimit dhe përvoja franceze
Kryetari i AMA-s, z. Gentian Sala ka zhvilluar më 26 mars 2015, një takim pune me prof. Eric Scherer, Drejtor i Mediave Inovative në Televizionin Francez. Procesi i kalimit të transmetimeve nga analoge në numerike, roli dhe objektivat e AMA-s, si dhe përvoja franceze në këtë fushë ishin në qendër të bashkëbisedimit mes tyre. U theksua avancimi shumë i shpejtë i teknologjisë dhe përpjekjet për të hartuar dhe miratuar një kuadër legjislativ të përshtatshëm, me trendet e tregut të transmetimeve. Krahas mbulimit të emetimit të përmbajtjeve radio dhe televizive, doli në pah dhe rëndësia e monitorimit të transmetimeve në internet, si dhe njohja e risive teknike dhe teknologjike në favor të menaxhimit sa më të mirë të situatës gjatë këtij procesi.
Gjatë takimit, ku ishte prezent dhe shefi i Departamentit të Gazetarisë dhe Shkencave të Komunikimit në Universitetin e Tiranës, Prof.Dr Artan Fuga, Akademik, doli në pah dhe roli i Autoritetit Rregullator në situata të tilla, ku përveç rolit monitorues duhet të ketë dhe rol edukativ e pedagogjik për sensibilizimin e publikut në sinjalizimin e rasteve jo etike; të përfshijë gjeneratën e re duke qenë se janë përdorues më të mirë të teknologjisë më të fundit në mënyrë që ti lehtësojë punën autoritetit; të përfshijë në hartimin e kuadrit rregullator, përveç grupit të interesit, edhe akademik të fushës së mediave etj.
Tiranë, më 26 mars 2015
Autoriteti i Mediave Audiovizive