Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA), organizoi më 10 janar 2023, në Peshkopi tryezën e gjashtë të këshillimit publik, në kuadrin e rishikimit të Kodit të Transmetimit.
Ndonëse tryeza e zhvilluar në qarkun e Dibrës pati karakter gjithëpërfshirës dhe diskutimet prekën të gjithë kapitujt e Projektkodit, vëmendja kryesore u përqendrua veçanërisht te detyrimet e rrjedhura në kuadrin e “Mbrojtjes së interesit më të lartë të fëmijës” dhe “Barazisë gjinore në transmetimet audiovizive”, tek “Aksesi dhe respektimi i të drejtave të personave me aftësi të kufizuar në transmetimet audiovizive”, te “Parandalimi dhe luftimi i gjuhës së urrejtjes” si edhe te “E drejta për privatësi dhe mbrojtje të të dhënave personale”.
Pjesë e këshillimit u bënë përfaqësues të OSHMA-ve, institucioneve arsimore, Policisë së Shtetit, institucioneve lokale, shoqërisë civile, etj.
Tryeza i shërbeu përballjes së Projektodit të Transmetimit me pritshmëritë e të gjitha grupeve të interesit në përgjithësi, duke u ndalur veçanërisht te detyrimet për respektimin e barazisë gjinore dhe interesit më të lartë të fëmijës, të drejtave të personave me aftësi të kufizuar dhe pakicave në përgjithësi, shmangien e diskriminimit dhe gjuhës së urrejtjes pavarësisht lirisë së shprehjes dhe mbrojtjen e privatësisë dhe të dhënave personale pavarësisht së drejtës për informim.
Kryetarja e Këshillit të Ankesave, Mirela Oktrova, bëri një paraqitje të shkurtër të procesit të deritanishëm të rishikimit të Kodit të Transmetimit në përmbushje të detyrimeve të rrjedhura prej Planit Strategjik 2021-2023 të Autoritetit dhe kërkesave të zhvillimit shoqëror dhe teknologjik. Ajo u ndal te rëndësia e veçantë që Kodi i Transmetimit, si ankt nënligjor i Ligjit 97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë” ka për garantimin e rolit rregullator të Autoritetit të Mediave Audiovizive dhe Këshillit të Ankesave në marrëdhëniet midis OSHMA-ve dhe publikut, në administrimin e ankesave dhe në kuadrin e edukimit mediatik të të gjitha palëve. Referuar këshillimeve publike në kuadrin e rishikimit të Kodit të Transmetimit, Kryetarja e Këshillit të Ankesave tërhoqi vëmendjen për rëndësinë e ruajtjes së ekuilibrit midis të drejtave dhe detyrimeve në kuadrin e veprimtarisë audiovizive, konkretisht midis lirisë së shprehjes dhe së drejtës për informim nga njëra anë si edhe detyrimit për respektimin e privatësisë, prezumimit të pafajsisë dhe të drejtave të komuniteteve të prekura, nga ana tjetër.
Përfaqësuesit e OSHMA-ve dhe grupeve të interesit u ndalën te kufiri i ndjeshëm midis rendjes për shpejtësi dhe eksluzivitet informimi dhe standardeve etike, tek indiferenca e mediave ndaj shembullit pozitiv dhe përmbajtjeve edukuese, te stereitipet e ngurta gjinore dhe promovimi i mangët i grave të suksesshme, te ndikimi direkt dhe indirekt i stigmës në pasqyrimin e aftësisë së kufizuar fizike dhe mendore, te shmangiet e standardit në ekspozimin e identitetit të viktimave, te problemet e aksesit të PAK në mediat audiovizive, etj.
Ekspertja e angazhuar nga AMA për analizimin dhe hartimin e Kodi të ri të Transmetimit, Prof. Dr. Vasilika Hysi, në cilësinë e juristes dhe njohëses së lirive dhe të drejtave të njeriut, prezantoi me detaje ndryshimet e propozuara për seksionet në diskutim. Ajo u ndal ndër të tjera, në rëndësinë e hartimit të një kapitulli të veçantë dispozitash dhe rekomandimesh për barazinë gjinore dhe gjuhën e urrejtjes, në konsensusin e përgjithshëm shoqëror përkitazi shtimit të dispozitave në dobi të interesit më të lartë të fëmijës, në detyrimin për standarde ndërkombëtare në trajtimin e privatësisë dhe të dhënave sensitive si edhe në shpjegimin e së “drejtës së harresës|” dhe detyrimit për respektimin e saj në veprimtarinë audiovizive.
Tryeza e organizuar nga Autoriteti i Mediave Audiovizive në qarkun e Dibrës, ishte e dyta e këtij lloji e organizuar në rrethe, pas tryezës së zhvilluar në qarkun e Shkodrës, në tetor të vitit 2022.
Autoriteti i Mediave Audiovizive inkurajon të gjithë aktorët dhe faktorët që të konsultohen me draftin dhe të bëjnë komentet dhe propozimet e tyre lidhur me të.
Fushata e këshillimit publik për Kodin e Ri të Transmetimit planifikohet të vazhdojë deri në fund të tremujorit të parë të këtij viti. Gjatë gjithë kësaj kohe, Projektkodi i plotë i Transmetimit do të qëndrojë i publikuar në faqen zyrtare të Autoritetit të Mediave Elektronike – në rubrikën Këshillimi publik – për të garantuar akses të plotë në dokument, jo thjesht dhe vetëm të OSHMA-ve dhe grupeve të tjera të interesit, por edhe të publikut të gjerë – si për t’u njohur me të, ashtu edhe për të formuluar vërejtje, komente dhe propozime për aspekte të caktuara të tij.