E Hënë - E Enjte 08:00 - 16:30 | E Premte: 08:00 - 14:00

Promovohet botimi studimor “Digjitalizimi i transmetimeve televizive tokësore: sfida, paradokse, shpresa”

 Promovohet botimi studimor “Digjitalizimi i transmetimeve televizive tokësore: sfida, paradokse, shpresa”

Të enjten, në ambientet e Departamentit të Gazetarisë dhe Komunikimit, në Universitetin e Tiranës, u mblodhën kontribuuesit e botimit shkencor: “Digjitalizimi i transmetimeve televizive tokësore: sfida, paradokse, shpresa”, për të promovuar daljen në qarkullim të vëllimit. Ky studim është pasardhës i konferencës me po të njëjtin titull që u zhvillua në muajin nëntor të vitit të kaluar.

Në këtë vëllim, Departamenti i Gazetarisë dhe Komunikimit përmblodhi rezultatet e një kërkimi shkencor të zhvilluar përgjatë gjysmës së dytë të vitit 2015, lidhur me tranzicionin në Shqipëri drejt transmetimeve tokësore televizive numerike.

Kryetari i Autoritetit të Mediave Audiovizive, Z. Gentian Sala në fjalën e tij theksoi se bashkëpunimi dhe partneriteti mes institucioneve publike, AMA-s dhe Departamentit të Gazetarisë dhe Komunikimit në UT nuk është spontan, por institucional e afatgjatë. Ky fakt jep garanci se produktet do të shfrytëzohen nga gjeneratat e studentëve dhe kërkuesit e studiuesit e ardhshëm.

Bashkëpunimi do të fuqizojë të gjithë aktorët, institucionet publike, median publike, operatorët privatë dhe do të ndërtojë një media të fortë.

Shefi i Departamentit të Gazetarisë dhe Komunikimit Prof. Dr. Artan Fuga tha se botimi ka vlerë për mësimdhënien, kërkimin shkencor, grupet e interesit brenda tregut audioviziv dhe mediatik në përgjithësi.

AMA ka mbështetur këtë studim voluminoz me mbi 600 fletë, i cili ka jo vetëm një fluks pikëpamjesh nga vendas dhe të huaj mbi procesin e digjitalizimit por edhe të dhëna nga tregu audioviziv, sjellja e operatorëve, audiencave etj.

Edhe Zv. Shefi i Departamentit Dr. Mark Marku tha se kjo prurje e re studimore e shpjegon procesin e digjitalizimit jo vetëm si dinamikë mediatike, por si fenomen me impakt të ndjeshëm social. Botimi është një studim i thelluar, me metodologji të mirë-menduar. Me këtë bashkëpunim efektiv AMA dhe Departamenti i Gazetarisë dhe Komunikimit ndërtojnë një model të ri pune mes institucioneve publike.

Këtë studim dhe konferencën që parapriu këtë botim e mbështetën edhe shumë agjenci të huaja kërkimore dhe shkencore.

Autoriteti i Mediave Audiovizive

Tiranë, më 14 prill 2016

Perpara AMA vazhdon aksionet për formalizimin dhe konkurrencën e ndershme të tregut audioviziv
guest
0 Comments
Oldest
Newest Most Voted
Inline Feedbacks
View all comments

Na ndiqni në rrjete sociale:

Copyright 2024 | Autoriteti Mediave Audiovizive | Të drejtat e rezervuara