Projekt rregullore për licencat e transmetimit audio të komuniteteve
Autoriteti i Mediave Audiovizive në kuadër të rregullimit të transmetimeve të radiove komunitare sipas ligjit për mediat audio dhe audiovizive 97/2013 ka publikuar në rubrikën këshillim publik, në faqen e tij zyrtare në internet, www.ama.gov.al, Projekt Rregulloren “Për dhënien e licencave të transmetimit audio të komunitetit”.
Transmetimet komunitare janë transmetime audio për komunitetin të cilat: ofrohen për zhvillimin social dhe përmbushjen e interesave të komunitetit; qe reflektojnë nevojat kulturore, gjuhësore, etj.; kanë karakter informues, edukativ dhe argëtues; mbështeten në punën vullnetare të pjesëmarrësve të komunitetit; krijojnë mundësi për të lejuar aksesin më të madh të mundshëm të gjithë pjesëmarrësve të komunitetit; kanë struktura menaxhuese, përfaqësuese të komunitetit të cilit i shërbejnë etj.
Përmes kësaj rregulloreje subjektet e interesuara orientohen e mbështeten në qartësimin e procedimit për fitimin e licencës, si p.sh. karakteristikat e shërbimit audio të komunitetit; standardet për programet; plani i frekuencave; shpallja e procedurës së licencimit; dokumentacioni i aplikimit; kriteret e vlerësimit të tyre etj.
Këshillimi publik është detyrim ligjor dhe këtë procedurë e kalojnë të gjitha projekt rregulloret e hartuara nga Autoriteti i Mediave Audiovizive. Përpara hartimit të kësaj rregulloreje Kryetari i AMA-s ka pritur në një takim konsultues të gjitha palët e interesuara. Kjo projekt rregullore do të jetë on-line për një periudhë 30 ditore dhe të gjitha palët janë të mirëpritura të dërgojnë komentet e tyre.
Për AMA-n është shumë e rëndësishme transparenca dhe fton bashkësitë fetare të japin mendimet e tyre.
Tiranë, më 17 dhjetor 2015
Autoriteti i Mediave Audiovizive