E Hënë - E Enjte 08:00 - 16:30 | E Premte: 08:00 - 14:00

Përfaqësues të AMA-s presin ekspertët ndërkombëtar të Këshillit të Europës. Diskutohet angazhimi i AMA-s në procesin e monitorimit të zgjedhjeve

Sekretarja e Përgjithshme e Autoritetit të Mediave Audiovizive, bashkë me disa drejtues të lartë të institucionit, kanë pritur sot në një takim, drejtuesit e Zyrës së Këshillit të Europës në Tiranë dhe ekspertë ndërkombëtar të KiE-s, të cilët ndodhen në Shqipëri, në kuadër të planifikimit të asistencës në zgjedhjet e ardhshme elektorale në vend.

Delegacioni përbëhej nga Shefja e Zyrës së KiE në Tiranë, Giulia Re, nga Zv. Shefi i kësaj zyre, Olsi Dekovi, nga Kryetarja  e Divizionit të Bashkëpunimit Parlamentar dhe Zgjedhor, Liri Kopaci di Michele, Koordinatori për Programin Zgjedhor në të njëjtin Divizion, Franck Daeschler dhe ekspertët ndërkombëtar, Ardita Driza Maurer dhe Rasto Kuzeli.

Gjatë takimit, Sekretarja e Përgjithshme e AMA-s, znj. Romelda Rapollari, ka bërë një prezantim të punës së AMA-s, kryesisht në rolin dhe kontributin e institucionit në monitorimin e proceseve zgjedhore.

Sipas përcaktimeve të Kodit Zgjedhor, monitorimi i fushatës zgjedhore në mediat audiovizive kryhet nga AMA. Ky monitorim kryhet në të gjithë territorin ku zhvillohen zgjedhjet. AMA i pasqyron gjetjet e veta në raporte të detajuara, të cilat ia paraqet KQZ-së për kompetencë. Gjithashtu në zbatim të Kodit Zgjedhor, KQZ ka miratuar metodologjinë e monitorimit të medias audio dhe audiovizive, akt në të cilin parashikohen procedurat dhe teknikat që ndjek AMA, gjatë monitorimit të fushatës zgjedhore.

Përfaqësuesit e AMA-s iu përgjigjën interesit të ekspertëve mbi procesin e monitorimit, fokusin ku ky proces përqendrohet gjatë zgjedhjeve, por edhe për metodologjinë e monitorimit dhe analizës së përmbajtjeve në përgjithësi.

Në takim znj. Rapollari ka theksuar gjithashtu edhe bashkëpunimet e deritanishme me zyrën e KiE-s në Tiranë, si dhe gatishmërinë shprehur për të mbështetur punën e AMA-s në fusha të ndryshme, përfshirë edhe ekspertizën për studion e re të monitorimit, që institucioni e ka në proces.

Prania e ekspertëve ndërkombëtarë të KiE në Tiranë, vjen në kuadër të planifikimit nga ana e Këshillit të Europës për asistencë në zgjedhjet e ardhshme në Shqipëri, duke u fokusuar në rritjen e kapaciteteve institucionale të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Vëmendje e veçantë do t’i kushtohet përmirësimit të kapaciteteve monitoruese të mediave, mbikëqyrjes së financimit të fushatës dhe efektivitetit të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve zgjedhore.

Perpara Njoftim shpallje për vend të lirë pune, Përgjegjes në Sektorin e Legjislacionit Europian dhe Integrimit në BE në Drejtorinë e Integrimit dhe Legjislacionit Ndërkombëtar
guest
0 Comments
Oldest
Newest Most Voted
Inline Feedbacks
View all comments

Na ndiqni në rrjete sociale:

Copyright 2024 | Autoriteti Mediave Audiovizive | Të drejtat e rezervuara