E Hënë - E Enjte 08:00 - 16:30 | E Premte: 08:00 - 14:00

Kujtesë për pasqyrimin e fushatës zgjedhore te 21 qershorit 2015 nga ana e subjekteve audio dhe audiovizive

KUJTESË 

PËR PASQYRIMIN LIGJOR, ETIK DHE PROFESIONAL TË FUSHATËS PËR ZGJEDHJET VENDORE
21 QERSHOR 2015

 Në mbështetje të Ligjit nr. 97/2013 ”Për median audiovizive në Republikën e Shqipërisë” dhe Ligjit nr. 10019, datë 29.12.2008 ”Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë” i ndryshuar, Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA), u kujton të gjithë subjekteve audio dhe audiovizivë se:

  1. Radiotelevizioni Publik Shqiptar dhe subjektet audio dhe audiovizivë, gjatë fushatës për zgjedhjet vendore të 21 qershor 2015, duhet të zbatojnë detyrimet ligjore të përcaktuara në nenet 4, 18, 33, 39, 40, 41 dhe 120 të ligjit 97/2013 ”Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, që kanë të bëjnë me paanshmërinë, plotësinë, vërtetësinë, pluralizmin e informacionit, si dhe Kreun VI të Ligjit nr. 10019, datë 29.12.2008 ”Kodi Zgjedhor i Republikës të Shqipërisë”, i ndryshuar, lidhur me respektimin e kërkesave për pasqyrimin e fushatës zgjedhore në media.
  2. Radiotelevizioni Publik Shqiptar dhe subjektet audio dhe audiovizivë janë të detyruara të regjistrojnë të gjitha transmetimet e tyre përgjatë fushatës zgjedhore. Regjistrimet ruhen për një periudhë 3-mujore pas përfundimit të zgjedhjeve dhe vihen në dispozicion të KQZ-së, me kërkesën e këtij institucioni.
  3. Televizioni publik dhe ato private në të gjithë edicionet informative kanë detyrim të vendosin me titra:
  • Emrin e redaktorit përgjegjës në fund të çdo emisioni, emrin e gazetarit;
  • Të operatorit dhe montazhierit në çdo lajm;
  • Emrin e drejtuesit të emisionit.

  1. Subjektet audio publike dhe private në të gjitha edicionet informative duhet të njoftojnë emrin e gazetarit për çdo lajm, emrin e drejtuesit të emisionit, emrin e redaktorit përgjegjës në fund të çdo edicioni. Këto subjekte janë të detyruara të bëjnë identifikimin e subjektit me folës, duke njoftuar emrin e transmetuesit dhe frekuencat e stacioneve në të cilat transmetojnë. Njoftimi bëhet periodikisht çdo ditë, në çdo orë, si dhe në intervalet midis programeve.
  2. Nëse subjektet audio dhe audiovizivë (publik dhe privat) paraqesin programet e tyre sondazhe zgjedhore të cilat duhet të përfshijnë emrin e organizatorit të sondazhit, porositësin e tij, numrin e personave të intervistuar, probabilitetin e gabimit, si dhe periudhën e zhvillimit të sondazhit.
  3. Nëse subjektet audio publike dhe private organizojnë vetë sondazhe zgjedhore me publikun, në fillim dhe në fund të çdo emisioni-sondazh, duhet të njoftohet se programi në fjalë nuk i përmbahet kritereve shkencore mbi sondazhet, si ato të organizuara nga institucione të specializuara.
  4. Rezultatet e sondazheve zgjedhore nuk mund të publikohen gjatë 5 ditëve të fundit para datës zgjedhjeve, përfshirë dhe datën e zgjedhjeve deri në orën e mbylljes të votimit.

RADIOTELEVIZIONI PUBLIK SHQIPTAR 

  1. Radiotelevizioni Publik e pasqyron fushatën zgjedhore nëpërmjet edicioneve informative dhe programeve informative.
  2. Radiotelevizioni Publik gjatë fushatës zgjedhore vë minutazh falas në dispozicion të partive politike të regjistruara dhe të KQZ-së. Ky minutazh përcaktohet nga KQZ-ja, jo më vonë se 30 ditë para datës së zgjedhjeve. Sipas Kodit Zgjedhor, kjo kohë nuk caktohet si pjesë e lajmeve dhe programeve informative.
  3. Në Radiotelevizioni Publik, për partitë parlamentare që në zgjedhjet e fundit kanë marrë më shumë se 20 përqind të vendeve në Kuvend, KQZ-ja cakton një minutazh të barabartë prej jo më pak se 30 minutash në televizionin publik dhe po aq në radion publike. Për partitë e tjera parlamentare, kjo kohë është jo më pak se 15 minuta. Rritja e kohës së transmetimit për një parti apo koalicion, rrit proporcionalisht kohën në dispozicion të partisë apo koalicionit tjetër.
  4. Radiotelevizioni Publik është i detyruar t’u japë, respektivisht, 10 minuta kohë në dispozicion, të gjitha partive joparlamentare, që marrin pjesë në zgjedhje.
  5. Radiotelevizioni Publik, transmeton reklama politike pa pagesë, duke llogaritur kohën e transmetimit brenda minutazhit falas.
  6. Radiotelevizioni Publik, në minutazhin politik të edicioneve informative, është i detyruar të zbatojë raporte kohore të barabarta për të gjitha partitë parlamentare, që në zgjedhjet e fundit për Kuvendin kanë marrë deri në 20 përqind të vendeve në Kuvend. Partitë që kanë marrë më shumë se 20 përqind të vendeve në Kuvend, përfitojnë kohë transmetimi sa dyfishi i kohës që përfiton një parti që ka marrë deri në 20 përqind të vendeve në Kuvend.
  7. Radiotelevizioni Publik duhet të llogarisë që koha e pasqyrimit të veprimtarive qeveritare, që lidhen me fushatën zgjedhore, përfshihet në kohën e partisë, së cilës i përket titullari i institucionit që zhvillon veprimtarinë.
  8. Radiotelevizioni Publik, për pasqyrimin e veprimtarive të partive joparlamentare zbaton kriteret profesionale të lajmit, me kusht që koha në dispozicione tyre të jetë jo më e madhe se koha e dhënë për partitë parlamentare.
  9. Gazetarët e Radiotelevizionit Publik e kanë të ndaluar propagandën, komentet dhe qëndrimet politike brenda edicioneve informative.
  10. Në rast se Radiotelevizioni Publik shkel raportet e pasqyrimit në favor të një partie ose të një koalicioni, KQZ urdhëron reduktimin në të njëjtën masë të kohës në dispozicion të partisë ose koalicionit politik ose kompensimin e partive apo koalicioneve të tjera politike me minutazh shtesë brenda 48 orëve.
  11. Në rast se Radiotelevizioni Publik shkel kërkesat e Kodit Zgjedhor për pasqyrimin e fushatës zgjedhore, atëherë KQZ-ja gjobit sipas rastit dhe shkallës së përgjegjësisë, me 20.000 lekë reporterin që ka përgatitur lajmin (kronikën), me 30.000 lekë redaktorin përgjegjës, me 35.000 lekë Drejtorin e Informacionit dhe me 60.000 lekë Drejtorin e Përgjithshëm.

 SUBJEKTET AUDIO DHE AUDIOVIZIVË  

  1. Subjektet audio dhe audiovizivë private e pasqyrojnë fushatën zgjedhore vetëm në edicionet e zakonshme dhe të posaçme informative. Ato nuk vënë në dispozicion të subjekteve politike, kohë transmetimi falas për pasqyrimin e fushatës së tyre zgjedhore.
  2. Subjektet audio dhe audiovizivë private në minutazhin politik të edicioneve informative, janë të detyruar të zbatojnë raporte kohore të barabarta për të gjitha partitë parlamentare, që në zgjedhjet e fundit për Kuvendin kanë marrë deri në 20 përqind të vendeve në Kuvend. Partitë që kanë marrë më shumë se 20 përqind të vendeve në Kuvend, përfitojnë kohë transmetimi se dyfishi i kohës që përfiton një parti që ka marrë deri në 20 përqind të vendeve në Kuvend.
  3. Për subjektet audio dhe audiovizivë private, në rast të shkeljes së rapoteve të pasqyrimit në favor të një partie, KQZ-ja, gjobit subjektin audiovizivë vendor me 1.500.000 lekë, ndërsa subjektin audioviziv kombëtar me gjobë 3.000.000 lekë. Në rast përsëritjeje të shkeljes, KQZ-ja urdhëron AMA-n të bëjë bllokimin e transmetimit të subjektit audiovizivë për 48 orë.
  4. Subjektet audio dhe audiovizivë private duhet të llogarisin që koha për veprimtarinë qeveritare që lidhen me fushatën zgjedhore, përfshihet në kohën e partisë së cilës i përket titullari i institucionit që zhvillon veprimtarinë.
  5. Për pasqyrimin e veprimtarive të partive joparlamentare dhe kandidatëve të propozuar nga zgjedhësit, subjektet audio dhe audiovizivë private zbatojnë kriteret profesionale të lajmit, me kusht që koha në dispozicion të mos jetë më e madhe se koha e dhënë për partitë parlamentare.
  6. Gazetarët e subjekteve audio dhe audiovizivë private e kanë të ndaluar propagadën, komentet dhe qëndrimet politike brenda edicioneve informative. Në rast shkeljeje KQZ-ja e gjobit operatorin audioviziv vendor me 1.000.000 lekë dhe subjektin audioviziv kombëtar me 2.500.000 lekë. Në rast përsëritjeje të shkeljes, KQZ-ja urdhëron AMA-n të bëjë bllokimin e transmetimit të operatorit vendor për 48 orë.
  7. Në rastet kur një subjekt audioviziv transmeton informacione të cilat kundërshtohen si të pasakta nga një subjekt zgjedhor ose kandidat i pavarur, atëherë këta të fundit kanë të drejtë t’i kërkojnë transmetuesit ndreqjen e pasaktësive. Ankesat e subjekteve zgjedhore ose kandidatëve të pavarur, drejtohen me shkrim në KQZ. Ato duhet të përshkruajnë shkakun e ankesës, argumentin e ankesës, emrin dhe adresën e plotë të ankuesit, logon dhe vendosjen e stacionit, programin për të cilin bëhet ankesa, datën dhe kohën e transmetimit.
  8. Subjektet audio dhe audiovizive private kanë të drejtë të organizojnë debate zgjedhore midis partive politike ose kandidatëve që konkurrojnë. Në organizimin dhe zhvillimin e debatit, subjektet audio dhe audiovizivë private janë të detyruara të ruajnë barazpeshën midis partive politike në debat. Në rast shkeljeje, KQZ-ja urdhëron AMA-n të bëjë bllokimin e transmetimit të subjektit audioviziv për 48 orë.
  9. Koha e përgjithshme e transmetimit të reklamave politike gjatë gjithë fushatës zgjedhore, nga secili subjekt audio dhe audioviziv privat, nuk mund të jetë më shumë se 90 minuta për secilën parti të rregjistruar për zgjedhje, sipas pikës 5 të nenit 84 të Kodit Zgjedhor.
  10. Reklamat e institucioneve publike llogariten në kohën e subjektit politik, të cilit i përket titullari i institucionit.
  11. Për partitë jo parlamentare dhe për kandidatët e propozuar nga zgjedhësit, subjektet audio dhe subjektet audiovizive private vënë në dispozicion kohë transmetimi shtesë për reklamat mbi kohën që zbatohet, sipas pikës 5 të nenit 84 të Kodit Zgjedhor. Koha e transmetimit të reklamave për secilën parti joparlamentare dhe kandidatët të propozuar nga zgjedhësit nuk mund të jetë më e madhe se 10 minuta për të gjithë fushatën zgjedhore.

Autoriteti i Mediave Audiovizive gjithashtu ju kujton se: 

    1. Dita e shtune përpara datës së zgjedhjeve vendore dhe dita e zgjedhjeve deri në orën e mbylljes së votimit, konsiderohet periudhë e heshjes zgjedhore. Subjektet audio dhe audiovizivë duhet të kenë parasysh se gjatë heshtjes zgjedhore nuk lejohet asnjë lloj fushate zgjedhore. subjekti audio dhe audioviziv që thyen heshtjen zgjedhore gjobitet nga KQZ-ja me 2.000.000 lekë.
    2. Për vënien në dispozicion të subjekteve zgjedhore të kohës televizive nga subjektet privat, rekomandohet të nënshkruhet një marrëveshje që rregullon marrëdhëniet financiare.
    3. Monitorimi i pasqyrimit të fushatës zgjedhore në radio dhe televizion bëhet nga Bordi i Monitorimit të Medias (BMM) i ngritur nga KQZ-ja. Për transmetuesit e rretheve, monitoruesit vendosen pranë KZAZ-së, ku ka qendrën e transmetimit subjekti që monitorohet.
    4. Subjektet audio dhe audiovizivë duhet të garantojnë lirinë e fjalës, duke mbrojtur programin nga fjalët fyese dhe ofendimet në drejtim të racës, besimit fetar, origjinës, gjinisë, jetës private dhe veçantive të tjera.
    5. Në subjektet audio dhe audiovizivë publik dhe privat ndalohet transmetimi i reklamave tregtare gjatë transmetimit të programeve zgjedhore.
    6. Subjektetaudio dhe audiovizivë duhet të shmangin çdo formë indirekte të fovorizimit të subjekteve zgjedhore në programet e tyre.
    7. Subjektet audio dhe audiovizivë duhet të shmangin vendosjen e përfaqësuesve të partive politike apo kandidatëve të pavarur në rolin e analistit apo drejtuesit të programeve për fushatën elektorale.
    8. Subjektet audio dhe audiovizive private, të cilat lidhen mes tyre me sistemin Network për të pasqyruar aktivitetin politik të një subjekti zgjedhor apo kandidati të pavarur, duhet të bëjnë të njëjtën gjë edhe për subjektet e tjera zgjdhore, apo kandidatët e pavarur, duhet të bëjnë të njëjtën gjë edhe për subjektet e tjera zgjedhore, apo kandidatët e tjerë të pavarur, të zonës ku shtrihet sinjali i programit të transmetuar.

AMA kërkon mirëkuptimin e subjekteve audio dhe audiovizivë, në mënyrë që media elektronike të përmbushë përgjegjësitë e saj për një pasqyrim të drejtë, të paanshëm dhe profesional të fushatës zgjedhore.

Perpara Takimi i 41 i Platformës Evropiane të Autoriteteve Rregullatorë, EPRA

Leave Your Comment

Na ndiqni në rrjete sociale:

Copyright 2021 | Autoriteti Mediave Audiovizive | Të drejtat e rezervuara