E Hënë - E Enjte 08:00 - 16:30 | E Premte: 08:00 - 14:00

OSHMA-të duhet të evitojnë pamjet e dhunës ekstreme deri dhe në cënimin e dinjitetit njerëzor!

Ditët e fundit, fillimisht në portale dhe rrjetet sociale dhe më pas në ekranet e televizioneve, u transmetuan pamjet e një konflikti me dhunë ekstreme në qytetin e Vlorës, ku humbi jetën dhe një person.

Shpërndarja e pamjeve të rënda nga një pjesë e OSHMA-ve u shoqërua me teknika të mbulimit, sidomos në momentet kritike, kur njëri prej personave që u konfliktua ishte në çastet e fundit para se të ndërronte jetë.

Për ato OSHMA që nuk u kujdesën siç duhet për të evituar pamjet e dhunës ekstreme deri dhe në cënimin e dinjitetit njerëzor, AMA adresoi tërheqje vëmendjeje, si rast që nuk duhet përsëritur.

Si referencë ishte mosrespektimi i kërkesave të Kodit të Transmetimit, ku specifikisht, në seksionin 3, mbi programet informative, përcaktohet se: “Media duhet të tregojë maturi me fotot, videot amatore ose pamjet e katastrofave, aksidenteve ose dhunës, duke respektuar dinjitetin e të ekspozuarve dhe ndjeshmërinë e të afërmve”, pika 3.18.

Më herët, mediat audiovizive kanë raportuar dhe mbi një ngjarje të dhunshme në afërsi të Fushë – Krujës, ku përdorimi i teknikave të mbulimit të skenave të dhunimit ekstrem nuk u aplikua nga të gjitha OSHMA-të, duke mos evituar efektin negativ që krijojnë përmbajtjet e papërshtatshme tek shikuesit, sidomos tek të miturit.

AMA ka apeluar që në mënyrë profesionale redaksitë audiovizive duhet të mbajnë parasysh dhe orarin e transmetimit të skenave ekstremisht të rënda, si dhe të aplikojnë mesazhe paralajmëruese për largimin e të miturve.

Ka disa referenca në ligjin 97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, që do të duhen të respektohen nga OSHMA-të, si përshembull, kërkesat e nenit 4 të këtij ligji, për “moslejimin e transmetimeve që nxisin intolerancën ndërmjet shtetasve”, (pika 2/d), si dhe “moslejimin e transmetimeve që nxisin ose justifikojnë dhunën”, (pka 2/dh).

Po ashtu neni 32, pika 4, saktëson se “OSHMA-të nuk transmetojnë programe me përmbajtje që nxisin urrejtjen …. dhe çdo formë tjetër diskriminimi”.

Në nenin 33, thuhet mes të tjerave që, “të mos cenojë dinjitetin dhe të drejtat themelore të njeriut, (pika 1/ç); apo “të respektojë rregullat e etikës dhe moralit publik dhe të mos transmetojë programe që mund të nxisin vepra penale”, (pika 1/d).

 AMA vijon monitorimin e përmbajtjeve të transmetuara dhe për raste të evidentuara do të fillojë procedimin administrativ, duke aplikuar sanksion, sipas nenit 133, pika 1/a, të ligjit 97/2013, i ndryshuar.

 

AUTORITETI I MEDIAVE AUDIOVIZIVE 

Perpara Njoftim shpallje për vend të lirë pune, Drejtor në Drejtorinë Ligjore

Na ndiqni në rrjete sociale:

Copyright 2024 | Autoriteti Mediave Audiovizive | Të drejtat e rezervuara