Bordi i Autoritetit të Mediave Audiovizive, në mbledhjen e ditës së sotme, mori masë për disa Operatorë të Shërbimeve Mediatike Audiovizive.
Bazuar në ankesat e ardhura në AMA-s dhe propozimet përkatëse, Bordi vendosi masat për rastet e mëposhtme:
RTV “Ora News”
Masën administrative me gjobë në vlerën 400,000 (katërqind mijë) lekë, ndaj RTV “Ora News”, për emisionin “Ju flet Moska”, të transmetuar në datën 18 mars 2019, me temën “Skënderbeu dhe vrasjet në xhamitë e Zelandës së Re”.
Bordi çmon se deklarime të tilla janë në shkelje të Ligjit nr.97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar. Këto deklarime nxisin intolerancën ndërmjet shtetasve, justifikojnë dhunën, nuk respektojnë gjuhën dhe larminë e traditave, besimeve fetare, kulturës dhe moralit të qytetarëve. Shkelja e këtyre parimeve ligjore gjatë këtij transmetimi përbën nxitje të urrejtjes mbi baza fetare dhe, si e tillë, është e dënueshme nga ligji.
“Report” TV
Masën admministrative me gjobë në vlerën 200,000 (dyqind mijë) lekë, ndaj Televizionit “Report” Tv, pasi në emisionin “Pa gjurmë”, të datës 14.01.2019, janë dhunuar të drejtat e një fëmije, duke cenuar privatësinë dhe dinjitetin e tij.
Gjatë këtij emisioni është shkelur Ligji nr.97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, i cili sanksionon detyrimin që, në transmetimet e tyre mediat audiovizive të ruajnë konfidencialitetin dhe të respektojnë privatësisë e fëmijës, sikurse parashikon edhe Kodi i Transmetimit, në Seksioni 5 të tij, “Fëmijët në transmetimet audiovizive”.
TV “News 24”
Masën administrative me gjobë në vlerën 120,000 (njëqind e njëzet mijë) lekë ndaj Televizionit “News 24”, për edicionin informativ qendror të datës 15.03.2019, ora 19.00. Gjatë edicionit u evidentuan dy reklama të fshehta të dhëna njëra pas tjetrës. Këto kronika bien ndesh me kërkesat e Ligjit nr. 97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, i cili në nenin 42, pika 1, përcakton se “komunikimet me natyrë tregtare në transmetimet audiovizive duhet të jenë qartësisht të dallueshme si të tilla. Komunikimet me natyrë tregtare të fshehura janë të ndaluara”.
Gjithashtu, transmetimi brenda edicionit të lajmeve i dy kronikave shkel edhe nenin 44 të Ligjit 97/2013 për “vendosjen e produkteve gjatë programeve”, pasi insertet konsiderohen produkte.
TV “Klan”
Masën administrative me gjobë në vlerën 120,000 (njëqind e njëzet mijë) lekë ndaj Televizionit “Klan”, pasi në programin “Rudina”, të datës 27.03.2019, nuk janë respektuar kërkesat për reklamat dhe komunikimet tregtare.
Përmbajtja e transmetuar në pjesën e dytë të programit “Rudina” kishte dhe reklamë të fshehur, që përbën mosrespektim të kërkesave të Ligjit nr. 97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, nenin 42, pika 1, si dhe nenin 44.
RTV “Ora News”
Bordi vendos tërheqjen e vëmendjes për Televizionin “Ora News”, pasi në emisionin “Why not”, të datës 07.04.2019, ora 19.00, rezulton në shkelje të normave ligjore dhe etike.
Bordi vëren se “fjalori i përdorur gjatë bashkëbisedimit dhe përgatitja e cigareve në studio, para kamerave, promovon përdorimin e duhanit dhe produkteve të tjera të tij, si dhe nxit fëmijët për përdorimin e këtyre produkteve të dëmshme jo vetëm për shëndetin e fëmijëve”. Kjo jo vetëm që dëmton dhe cenon fëmijët, por gjithashtu bie ndesh me ligjin organik dhe Kodin e Transmetimit, i cili detyron OSHMA-të të vendosin shenja paralajmëruese.
Transmetimet në Gjuhën e Shenjave
Bordi i AMA-s u tërheq vëmendjen operatorëve audiovizivë me licencë kombëtare për zbatimin e Ligjit nr. 97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, mbi transmetimet për personat me nevoja të veçanta shqisore dhe marrjen e masave për konkretizimin e transmetimeve me bazë gjuhën e shenjave.
Autoriteti i Mediave Audiovizive u ka bërë me dije OSHMA-ve, përmes njoftimeve zyrtare dhe shkresave të nisura, se në mbledhjen e parë të vitit 2019, Bordi i AMA-s ka vendosur tre prioritetet e monitorimit dhe vlerësimit të përmbajtjeve të emetuara, të cilat janë: 1. Mbrojtja e fëmijëve në transmetimet audiovizive; 2. Reklamat e fshehura dhe komunikimet tregtare; 3. Programet audiovizive me karakter informimin mbi shëndetin dhe medikamentet.
Masat e sotme janë rrjedhojë e disa tërheqjeve të vëmendjes ndaj këtyre subjekteve për të respektuar këto tre prioritete.
AMA gjen rastin të apelojë ndaj operatorëve mediatikë që, gjatë veprimtarisë së tyre të respektojnë Ligjin nr. 97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, dhe Kodin e Transmetimit.
Autoriteti i Mediave Audiovizive
Tirane, 17 prill 2019