Në përmbajtjet e transmetuara nga mediat audio dhe audiovizive, së fundmi, pjesa më e madhe e informimit dhe diskutimit lidhet dhe me përhapjen e Koronavirusit, masat parandaluese për publikun, kushtet dhe trajtimi për të prekurit nga ky virus, të dhëna nga institucionet e specializuara dhe ekspertët, shifra mbi viktimat në rang global etj.
Duke e konsideruar median audio dhe audiovizive me një rol e ndikim të jashtëzakonshëm në informimin dhe edukimin e popullatës në kushtet e kërcënimit nga përhapja e epidemive në shkallë të gjerë, AMA ka besim se redaksitë e tyre do të vijojnë të jenë në nivelin e kërkuar profesional dhe etik për mbulimin e kësaj situate të pazakontë.
Informacionet dhe të dhënat do të jenë të verifikuara, ndërkohë që trajtimet dhe udhëzimet me natyrë higjenike dhe shëndetësore do të bazohen tek ekspertët e fushës – elementë këto që evitojnë dhe refuzojnë lajmet e rreme dhe të pabazuara që shkaktojnë dhe stimulojnë panik dhe trazim të panevojshëm tek ndjekësit e transmetimeve audio dhe audiovizive.
Subjektet audio dhe audiovizive duhet të mbajnë parasysh dhe zbatimin e kërkesave të rregullores për transmetimin pa shpërblim të informacioneve, mesazheve dhe njoftimeve me interes të lartë për publikun e gjerë, miratuar me vendim të AMA nr. 76 datë 04.04.2016.
Në nenin 6, pika 4, përcaktohet se këto subjekte janë të detyruara të transmetojnë pa shpërblim edhe “informacione, mesazhe, thirrje të Ministrisë së Shëndetësisë, që lidhen me mbrojtjen e shëndetit të popullsisë në një situatë të jashtëzakonshme, për rastet e epidemive e sëmundjeve ngjitëse, që përhapen shpejt dhe përbëjnë rrezik për komunitetin, si dhe mesazhet që lidhen me dhurimin vullnetar e falas të gjakut. …”
Autoriteti i Mediave Audiovizive
Tiranë më 09.03.2020