E Hënë - E Enjte 08:00 - 16:30 | E Premte: 08:00 - 14:00

Njoftim për median

AMA po ndjek me shumë vëmendje aktualitetin e zhvillimeve dramatike të shkaktuara nga agresioni rus në Ukrainë, temë që po trajtohet në të gjitha formatet e informimit dhe analizës nga OSHMA-të. Ne vlerësojmë maksimalisht angazhimin profesional dhe të përgjegjshëm të redaksive audiovizive në mbulimin e ngjarjeve, duke ofruar për ndjekësit e programeve lajme, intervista, komente dhe forume diskutimi mes ekspertëve dhe njohësve të fushës, në trajtimin e kësaj çështje të nxehtë në skenën ndërkombëtare, për efektet dhe pasojat, si dhe perspektivën e afërt dhe të largët të këtyre zhvillimeve.

Gjatë procesit të monitorimit, por dhe bazuar në ankesat që mbërrijnë në AMA janë shqyrtuar dhe përmbajtje të papërshtatshme, të pabazuara në fakte, pa tolerancë dhe që reflektojnë ngarkesa nostalgjike, glorifikuese kundër promovimit të vlerave demokratike të gjithëpranuara nga vendet evropiane perëndimore dhe demokracitë përparimtare. AMA dërgoi një tërheqje vëmendjeje për një OSHMA para tri ditëve, që nuk ka respektuar kërkesat ligjore, ndërkohë, edhe dje për një tjetër rast. Procesi monitorues dhe shqyrtimi i ankesave vijon, bazuar në kërkesat e ligjit 97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar.

Nevoja për pluralizëm mendimesh, për t’i emetuar shikuesve diversitet pikëpamjesh dhe analizash, nuk mund të përligji shfrytëzimin e hapësirës publike të transmetimit për avokatura të individëve, subjekteve apo institucioneve që mbështesin ushtrimin e dhunës dhe armiqësinë mes popujve, apo për t’u bërë pjesë e fushatave dizinformuese dhe keqinformuese.

AMA po bashkëpunon dhe është në sinkron dhe me partnerët ndërkombëtarë. Në deklaratën e fundit zyrtare të Grupit Evropian të Rregullatorëve për Shërbimet e Medias Audiovizive (ERGA), përmendej angazhimi për të qëndruar të bashkuar dhe të gatshëm për të kontribuar në efektivitetin e sanksioneve të reja ekonomike të BE-së ndaj mediave ruse të kontrolluara nga shteti, duke vijuar punën ngushtësisht me Komisionin Evropian.

“Për më tepër, anëtarët e ERGA do të vazhdojnë më tej punën e tyre për dezinformimin, duke përfshirë edhe dezinformimin në lidhje me agresionin aktual të Rusisë në Ukrainë” – thuhet mes të tjerave në deklaratën ERGA, lëshuar më 2 mars 2022.

 

Autoriteti i Mediave Audiovizive

Perpara Deklaratë për shtyp/ ERGA qëndron e bashkuar dhe e gatshme për të kontribuar në efektivitetin e sanksioneve të reja ekonomike të BE-së ndaj mediave ruse të kontrolluara nga shteti
guest
0 Comments
Oldest
Newest Most Voted
Inline Feedbacks
View all comments

Na ndiqni në rrjete sociale:

Copyright 2024 | Autoriteti Mediave Audiovizive | Të drejtat e rezervuara