Njoftim

Aleanca Kundër Gjuhës së Urrejtjes* është sinjalizuar nga përfaqësues të komunitetit LGBTI, por edhe nga reagime të tjera në rrjetet sociale dhe në portale online, për përdorim të gjuhë diskriminuese dhe nxitjes së dhunës në një program të transmetuar në televizionin kombëtar Klan,  në të cilin janë denoncuar disa fenomene shqetësuse.

AKGJU ka shprehuar edhe më parë shqetësimin mbi gjuhën e përdorur në televizionet kombëtare kundrejt pakicave shoqërore dhe kërkon shmangien e nxitjes së urrejtjes dhe dhunës në çfarëdolloj forme të kuptuar apo nënkuptuar.

Është për t’u përgëzuar që media me mjetet e saj informon publikun dhe ekspozon fenomene të dënueshme edhe penalisht, sidomos kur bëhet fjalë për përfshirjen e të miturve në çfarëdolloj mënyre. AKGJU nxit të gjitha organet ligjzbatuese, Policinë e Shtetit dhe Prokurorinë që të hetojë mbi ngjarjet.

Në këtë kontekst, AKGJU i bën thirrje publike televizionit kombëtar Klan dhe drejtuesve të programit investigativ Stop, që në kryerjen e detyrës së tyre kaq të rëndësishme për shoqërinë shqiptare të evitojnë keqkuptimet mbi lidhjen e fenomeneve negative me orientimin seksual të personave të përfshirë. Shqetësimi dhe ngacmimi seksual, kundrejt të miturve dhe kundrejt çdokujt, por edhe kryerja e marrëdhënieve seksuale me të mitur, janë plagë që prekin gjithë shoqërinë Shqiptare.

AKGJU, shpreh bindjen se mediat publike janë një e mirë kombëtare dhe shërbimi i tyre shkon në informimin e të gjithë shoqërisë, duke respektuar njëkohësisht plurazmin shoqëror, diversitetin midis personave, promovimin e pakicave dhe grupeve më të pamundura të shoqërisë.

AKGJU mbështet kurdoherë reagimin e organizatave të shoqërisë civile, përfaqësuesve të komuniteteve të ndryshme dhe qytetarëve kur janë dëshmitarë të akteve diskriminuese.

____________________________________________________________________________________________________

*Aleanca Kundër Gjuhës së Urrejtjes u krijua në 20 Dhjetor 2019 në Tiranë, si një nismë e Avokatit të Popullit, Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Autoritetit të Mediave Audiovizive dhe Këshillit Shqiptar të Medias për të luftuar fenomenin e “gjuhës se urrejtjes” në të gjitha dimensionet që ai shfaqet në shoqërinë Shqiptare.

Perpara AMA-AKEP cooperation, official visit of the Chairperson of the Audiovisual Media Authority!